Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, theksoi se vendimet e këtij institucioni janë të detyrueshme për zbatim dhe çdo përpjekje për t’i vënë në diskutim përbën rrezik serioz për rendin kushtetues dhe besimin në drejtësi. Deklaratën e bëri sot gjatë aktivitetit “Udhërrëfyesit e Jurisprudencës në Gjykatën Kushtetuese”, ku theksoi se zbatimi i vendimeve nuk është çështje vullneti, por detyrim kushtetues për të gjitha pushtetet.
Eshtë po aq e rëndësishme të nënvizohet se autoriteti i këtyre vendimeve nuk është teorik. Përpjekjet për të kundërshtuar apo për të vënë në diskutim ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese jo vetëm minojnë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, por edhe destabilizojnë qeverisjen demokratike.
Mos të harrojmë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë as këshilluese, as opsionale për t’u zbatuar, ato janë të detyrueshme dhe ekzekutimi i tyre përbën një detyrim kushtetues për të gjitha pushtetet. Dështimi në ekzekutimin e këtyre vendimeve vë në diskutim vetë Kushtetutën dhe kërcënon integritetin e sundimit të ligjit, i cili kërkon që të gjitha institucionet shtetërore, jo vetëm të respektojnë vendimet e Gjykatës por edhe të veprojnë në shina kushtetuese.
Zaçaj paralajmëroi se veprimet jashtë kuadrit kushtetues nga institucionet, përfshirë edhe ato gjyqësore, minojnë legjitimitetin e sistemit ligjor dhe përbëjnë rrezik për shtetin e së drejtës.
Eshtë e domosdoshme që demokracia të jetë kushtetuese, me kufij për pushtetet, respekt të sundimit të ligjit dhe një pushtet gjyqësor të pavarur.
Nga ana tjetër, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi se dialogu institucional dhe zbatimi i vendimeve të formës së prerë janë thelbësore për një sistem drejtësie që gëzon besimin e qytetarëve e përparon drejt standardeve europiane.
Drejtësia jo vetëm duhet të jepet, por edhe të duket që po jepet. Drejtësia duhet të arrijë te qytetarët, duhet ta kuptojnë, të kenë besim dhe vetëm duke patur këtë besim mund ta shohim integrimin në BE si një mundësi për të arritur më shumë.
Në fjalën e tij gjatë prezantimit të Udhërrëfyesit për Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi se ky vëllim i dytë është tejet i rëndësishëm për kulturën juridike në vendin tonë dhe shërben jo vetëm për juristët e akademikët, por iu vjen në ndihmë edhe qytetarëve për t’u njohur më mirë me të drejtat e liritë e tyre.