Kryetari socialist i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, bëri të ditur se shumë shpejt, maxhoranca do të depozitojë në Kuvend një paketë ndryshimesh në Kodin Rrugor dhe atë Penal, pas tragjedisë në Durrës ku një i dehur përplasi për vdekje me makinë dy fëmijë e plagosi një tjetër, më 3 maj.
Manja theksoi se po shihen të gjitha boshllëqet që aktualisht kanë dy kodet, për t’i adresuar në mënyrën e duhur, si dhe për të ashpërsuar masat. Ndërkaq, kërkoi dënim të merituar për autorin duke theksuar se “nuk do të jetë më pjesë e shoqërisë”.
Ajo ngjarje e rëndë ka prekur shumë ndjeshmëri te çdo shqiptar e prind. Nuk ka rëndësi se çfarë përfaqëson ai. Ai është një njeri që duhet të marrë ndëshkimin e merituar, sipas ligjit. Ngjarja është shumë e rëndë, bashkohem me ngushëllimet për familjet. Shërim të shpejtë fëmijës që është në spital!
Ky komision ka përgjegjësi që shqetësimin që ka krijuar kjo ngjarje, ta përkthejë në ndryshime ligjore. Së bashku me të tjerë kolegë të kësaj mazhorance, shumë shpejt ne do t’i drejtojmë Kuvendit, një paketë ndryshimesh në Kodin Rrugor dhe atë Penal, si kundërpërgjigje adekuate në nivelin e ndërhyrjeve ligjore të kësaj situate.
Natyrisht, nuk duhet të ndodhin ngjarje të tilla për të pasur ashpërsim masash, por po shohim të gjitha boshllëqet që kanë Kodi Rrugor e ai Penal për të ashpërsuar masat. Po shohim boshllëqet që janë në këtë drejtim, për t’i adresuar në masën e duhur.
Autori i kësaj vepre penale, gjithçka mund të përfaqësojë ai, por nuk meriton të jetë më mes nesh. Të marrë ndëshkimin shembullor, të merituar, sipas ligjit.