Ambasadori i BE-së në vendin tonë, Silvio Gonzato kërkon të ndalen presionet ndaj drejtësisë. I pranishëm në tryezën e diskutimit “Mekanizmat e llogaridhënies”, Gonzato tha se pavarësia e gjyqësorit kërkon “respekt të plotë për magjistratët dhe besim te puna e tyre”. Sipas ambasadorit, “të gjithë duhet të respektojnë mekanizmat ligjorë”.
Pavarësia kërkon respekt të plotë për magjistratët dhe besim te puna e tyre. Presioni i çdo lloj forme, privat apo publik, politik apo nga grupe private interesi, dëmton rëndë besimin publik. Të gjithë duhet të përmbahen e të mos ushtrojnë presion për strukturat e gjyqësorit, si dhe të respektojnë mekanizmat ligjorë. Vendimet gjyqësore japin ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Pavarësia pa llogaridhënie rrit rrezikun për abuzimin me pushtetin, llogaridhënia pa pavarësi mund të çojë në mosndëshkueshmëri.
Lidhur me Reformën në Drejtësi, Gonzato u shpreh se rezultatet e prodhuara janë ato që priteshin.
Reforma në Drejtësi dha ato që priteshin nga Shqipëria sa i përket pavarësisë dhe llogaridhënies e ka dhënë kontribut të madh për ecurinë e mrekullueshme të Shqipërisë drejt BE-së. Ende ka punë për t’u bërë për zbatimin e kësaj reforme. Dhe ne inkurajojmë institucionet e drejtësisë të vazhdojnë të punojnë.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, garantoi mbështetje të vazhdueshme të institucionit që drejton për organet e reja të drejtësisë, duke veçuar SPAK-un. Sipas Spiropalit, SPAK dhe GJKKO i kanë dhënë më shumë legjitimitet procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Ecuria e procesit të anëtarësimit gjatë 2025-ës po dëshmon se ky është viti i grup-kapitullit “Themeloret”, ecuria e të cilit do të përcaktojë zhvillimet edhe në grup-kapitujt e tjerë negociues. Në këtë kontekst, kuptohet sa e rëndësishme është mbështetja e funksionimit të SPAK-ut e organeve të tjera të sistemit të drejtësisë. Kuvendi ka qëndruar dhe do të jetë në mbështetje të SPAK-ut, jo mbi të, jo përpara tij, por përkrah tij.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja e konsideroi SPAK-un si një nga arritjet më të prekshme të Reformës në Drejtësi, si dhe shtoi:
Reforma në Drejtësi kishte si objektiv ndërtimin e një sistemi drejtësie të pavarur dhe efektiv në funksion të besimit të publikut te sistemi. SPAK është një nga arritjet më të prekshme të kësaj reforme. Por, siç e thekson dhe raporti, pavarësia nuk ka qenë një qëllim në vetvete. Pavarësia do të duhej të shoqërohej me mekanizma të qartë dhe efektiv të llogaridhënies për të garantuar që fuqia e dhënë institucioneve të drejtësisë të mos kthehej në vetëreferencë, por t’i shërbejë sundimit të ligjit. Në këtë kuadër, koordinimi ndërinstitucional merr një rëndësi të veçantë. Ministria e Drejtësisë është pjesë e rëndësishme e kësaj arkitekture ndërinstitucionale.