Aktualitet

Aksident rrugor me disa të plagosur në Roskovec!

Një aksident rrugor u shënua sot në vendin e quajtur Verbas, në aksin kombëtar Fier-Roskovec. Sipas informacioneve paraprake, dy automjete u përplasën mes tyre, duke shkaktuar plagosjen e 6 personave.

Të dy drejtuesit, si edhe pasagjerët që udhëtonin me ta, u dërguan në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Fierit për kontroll mjekësor. Burime spitalore bëjnë të ditur se të plagosurit kanë marrë ndihmën e parë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Rreth orës 09:00, në fshatin Verbas, automjeti me drejtues shtetasin J. V., 18 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin F.S., dhe për pasojë janë dëmtuar dy drejtuesit dhe katër pasagjerë, të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Policia po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit. Në muajin shtator të këtij viti janë regjistruar 102 aksidente rrugore, me 135 persona të aksidentuar (të vrarë dhe të plagosur).