Kanceri i pankreasit konsiderohet një nga format më agresive të sëmundjes, me prognozën më të keqe dhe rezistencë të lartë ndaj trajtimeve ekzistuese. Megjithatë, një studim i fundit shkencor sjell një rreze shprese për pacientët që përballen me këtë diagnozë. Hulumtimi është kryer nga Spanish National Cancer Research Centre dhe ka treguar se përdorimi i një terapie të kombinuar në tre nivele ka çuar në zhdukjen e tumoreve të pankreasit te minjtë, si edhe në parandalimin e rikthimit të tyre.
Sipas rezultateve të publikuara në revistën shkencore PNAS, goditja njëkohësisht e tre pikave të dobëta në rrugën molekulare të onkogjenit KRAS bën që tumoret të tkurren për periudha të gjata kohore. Studiuesit theksojnë se edhe bllokimi i vetëm një pike ndihmon në shmangien e rezistencës ndaj trajtimit, ndërsa kombinimi i disa mekanizmave rrit ndjeshëm efektivitetin. Ekipi shkencor ka përdorur gjithashtu një qasje të dyfishtë, duke kombinuar një inhibitor të KRAS me një proteinë degraduese. Kjo ka çuar në zhdukjen e ndjeshme të tumoreve, pa u vërejtur efekte anësore te modelet eksperimentale.
Autorët e studimit sqarojnë se ende nuk janë gati për prova klinike me terapinë trefishe, pasi optimizimi i saj për pacientët është një proces kompleks. Megjithatë, ata shprehen të bindur se këto gjetje do të përcaktojnë drejtimin e studimeve dhe provave të ardhshme klinike. Në Spanja diagnostikohen çdo vit mbi 10 mijë raste të reja me kancer të pankreasit, çka e bën këtë zbulim veçanërisht të rëndësishëm për të ardhmen e trajtimit të sëmundjes.
Ndërkaq, tumor markerët janë substanca që mund të gjenden në gjak, urinë ose në inde, te personat që vuajnë nga disa lloje kanceri. Zakonisht i prodhojnë vetë qelizat tumorale, por ndonjëherë ato krijohen edhe nga vetë trupi si reagim ndaj pranisë së tumorit ose gjendjeve të tjera beninje. Vlerat e rritura të këtyre treguesve mund të sinjalizojnë praninë e një procesi malign, por nuk janë të mjaftueshme për të vendosur diagnozën e kancerit. Te disa persona me kancer, markerët mund të mbeten brenda normës, veçanërisht në fazat e hershme të sëmundjes, ndërsa te të tjerë mund të rriten për shkak të infeksioneve, inflamacioneve apo sëmundjeve të padëmshme që nuk kanë lidhje me tumorin.