Në Spitalin e Fëmijëve “Johns Hopkins”, studiuesit kanë zbuluar një mënyrë për të aktivizuar sistemin imunitar të trupit për të njohur dhe shkatërruar qelizat kancerogjene që më parë ishin të padukshme për të.
Studimi, i botuar në “Nature Immunology”, tregon se duke stimuluar dy rrugë kryesore imunitare, shkencëtarët arritën të shndërrojnë tumoret rezistente ndaj sistemit imunitar në tumore “të nxehta ndaj imunitetit”, të afta të sulmohen nga mbrojtjet natyrore të trupit.
Eksperimentet u kryen në modele minjsh të kancerit të gjirit, pankreasit dhe muskujve. Kjo jo vetëm që shtypi rritjen e tumorit, por gjithashtu krijoi një kujtesë imunitare afatgjate, duke përmirësuar shkallën e mbijetesës dhe reduktuar mundësinë e përsëritjes.
Duke ndërtuar infrastrukturën e duhur imune brenda tumoreve, ne mund të fuqizojmë mbrojtjen e vetë pacientit, si të qelizave T ashtu edhe të qelizave B, kundër rritjes së kancerit, rikthimit dhe metastazës, citon raporti shkencëtarin e lartë dhe autorin kryesor të studimit, Masanobu Komatsu.
Shumë tumore konsiderohen “të ftohtë imunitar”, që do të thotë se atyre u mungon aktiviteti i qelizave imune i nevojshëm që trajtime të zakonshme si imunoterapia të funksionojnë.
Ekipi i spitalit “Johns Hopkins” kërkoi ta ndryshojë këtë duke stimuluar mjedisin e tumorit me molekula imunoaktive. Ata u përqendruan në forcimin e strukturave limfoide terciare (TLS), të cilat janë grumbuj qelizash imune që luajnë rol kritik në organizimin e sulmeve imune.
TLS-ja zakonisht gjenden në tumoret imunoaktive dhe janë të lidhura me rezultate më të mira për pacientët. Duke përdorur dy molekula imunoaktive, studiuesit rikrijuan kushte të ngjashme me ato që gjendet në tumoret imunoaktive.
Kjo çoi në një rritje të qelizave T vrasëse që sulmojnë kancerin, formimin e enëve të reja të gjakut, që lejuan qelizat imune të hyjnë dhe prodhimin e antitrupave që synojnë qelizat tumorale.
Qelizat B brenda TLS-së u zhvilluan në qeliza plazme që prodhojnë antitrupa dhe qeliza kujtese që ndihmojnë sistemin imunitar të njohë e të luftojë kancerin nëse ai rikthehet.
Trajtimi rriti edhe qelizat T ndihmëse dhe ato T të kujtesës. Sipas shkencëtarit Komatsu, rezultatet sugjerojnë se kombinimi i dy sinjaleve imunoaktive mund të rrisë efektivitetin e trajtimeve aktuale, duke përfshirë kimioterapinë e imunoterapitë, në llojë të ndryshme të kancerit.
Hulumtimi u financua nga Instituti Kombëtar i Kancerit (NIH), Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-ve dhe Departamenti i Shëndetësisë i Floridës.