Presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shkroi në X , duke thënë se ishte mirënjohës ndaj BE për të gjithë mbështetjen, ndihmën dhe angazhimin maksimal të treguar jo vetëm këtë vit, por që nga fillimi i pushtimit të plotë rus.
“Javën e kaluar, Këshilli Evropian miratoi një vendim për 90 miliardë dollarë ndihmë financiare për Ukrainën për periudhën 2026-2027, dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne. Ne e vlerësojmë shumë faktin që BE po e mbështet Ukrainën në këtë mënyrë në këtë fazë diplomatike, në shumë aspekte vendimtare”, tha ai.
Sipas Zelensky, negociatat në vazhdim mund ta ndryshojnë rrënjësisht situatën dhe është thelbësore të sigurohet presioni i duhur mbi Rusinë.
Me von der Leyen, përfundoi ai, “diskutuam rëndësinë e mbështetjes së qëndrueshmërisë së Ukrainës dhe forcimit të pozicioneve tona në tryezën e negociatave’.
Zelensky, i cili më parë e ka akuzuar Rusinë për “mbjellje kaosi” mbi popullin e Odesës, tha se “të gjithë duhet ta shohin se pa presion mbi Rusinë, ata nuk kanë ndërmend t’i japin fund vërtet agresionit të tyre”.
Komentet e tij erdhën ndërsa raundi i fundit i përpjekjeve diplomatike të udhëhequra nga SHBA-të përfundoi në Miami. SHBA-të u takuan veçmas me delegacionet ukrainase dhe ruse, me takimet që dhanë deklarata optimiste, por pa përparim të qartë për ta afruar më shumë fundin e luftës gati katërvjeçare të Moskës me Ukrainën.
I dërguari special i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Steve Witkoff tha se ai dhe homologu i tij ukrainas, Rustem Umerov, kishin punuar për “përafrimin e qëndrimeve” në një draft plan paqeje prej 20 pikash të paraqitur nga Ukraina në fillim të këtij muaji. Plani është një alternativë ndaj një propozimi të paraqitur nga SHBA-të në nëntor, i cili u pa si i favorshëm për Moskën.