Presidenti Volodymyr Zelensky, kritikoi Shtetet e Bashkuara se “po heshtin”, pasi sot Rusia kreu bombardime të pandërprera me dronë dhe raketa në Ukrainë për natën e dytë radhazi, duke vrarë të paktën 12 njerëz dhe plagosur dhjetëra të tjerë.
Heshtja e Amerikës, heshtja e vendeve të tjera të botës, vetëm sa e nxisin [presidentin rus Vladimir] Putinin, shkroi Zelensky në rrjetet sociale.
Kjo ishte nata e dytë e sulmeve të pareshtura ruse në kryeqytetin ukrainas, Kiev dhe rajone të tjera të vendit. Intensiteti ishte tronditës sepse Rusia goditi Ukrainën me 367 dronë e raketa, çka nënkupton se ky ishte sulmi më i madh gjatë luftës mbi trivjeçare, sipas Yuriy Ihnat, zëdhënës i Forcave Ajrore të Ukrainës.
Në përgjithësi, Rusia përdori 69 raketa të llojeve të ndryshme dhe 298 dronë, përfshirë dronët iranianë, të njohur si Shahed, tha Ihnat për Associated Press. Ishte sulmi më i madh në aspektin e numrit të armëve ajrore në territorin e Ukrainës që nga fillimi i pushtimit të plotë në vitin 2022.
Sulmi ndodhi në ditën e tretë të shkëmbimit të të burgosurve mes Rusisë e Ukrainës. Në bisedimet e Stambollit, në fillim të këtij muaji, Kievi dhe Moska ranë dakord që të shkëmbenin nga 1 mijë të burgosur lufte. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë raportoi se mbrojtja e saj ajrore rrëzoi 110 dronë ukrainas gjatë natës.
Zhurma e shpërthimeve u dëgjua gjatë gjithë natës në Kiev e në zonat përreth, teksa me orë të tëra, Forcat Ajrore të Mbrojtjes së Ukrainës bënin përpjekje t’i rrëzonin dronët dhe raketat e armikut. Të paktën katër persona u vranë dhe 16 u plagosën vetëm në Kiev, referuar Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës.
Një mëngjes i vështirë në Ukrainë pas një nate pa gjumë. Sulmi më i madh ajror rus në shumë javë zgjati gjithë natën, deklaroi ministri i Jashtëm, Andrii Sybiha në X.
Zjarre shpërthyen në shtëpi dhe biznese, të shkaktuara nga copëzat e dronëve të rrëzuar. Në rajonin Zhitomir, në perëndim të Kievit, u vranë tre të mitur 8, 12 dhe 17 vjeç. 12 vetë u plagosën në sulme. Të paktën katër njerëz gjetën vdekjen në rajonin Hmelnitski, në Ukrainën perëndimore. Një burrë u vra në rajonin Mikolaiv, në jug të vendit.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko bëri të ditur se një konvikt studentor në distriktin Holosivski u godit nga një dron dhe një nga muret e ndërtesës u përfshi nga flakët. Në Dniprovski, një shtëpi private u shkatërrua dhe në distriktin Shevçenkivski, u thyen xhamat e një godine banimi.
Në 48 orët e fundit, sulmet ajrore ishin ndër më të fuqishmit e Rusisë ndaj Ukrainës që nga pushtimi i plotë, në shkurt 2022. Ndërkohë, shkëmbimi i fundit i të burgosurve të luftës pritet të ndodhë më vonë sot, sipas marrëveshjes triditore.