Natë frike në rajonin e Kievit. Në kryeqytetin ukrainas u dëgjuan shpërthime në sfondin e një sulmi armik me dronë kamikazë. Mbrojtja ajrore funksionoi. Kjo u raportua nga RBC-Ukraine, duke cituar kryebashkiakun Vitali Klitschko dhe kreun e administratës ushtarake të Kievit, Timur Tkachenko. Sipas Klitschkos janë 10 të plagosur.
Dy fëmijë të moshave 8 e 12 vjeç, si dhe një adoleshent 17 vjeç u vranë nga bombardimet ruse në rajonin veriperëndimor të Jitomirit, raportuan shërbimet e shpëtimit. Dhjetë vetë u plagosën.
Tre persona u vranë dhe dhjetë u lënduan në sulmin masiv rus në rajonin e Kievit.
Shpërthime orët e fundit edhe në Odesë, Dnipro, Mykolaiv, Sumy, Konotop e Kharkiv. Alarm për sulm ajror në të gjitha rajonet e Ukrainës.
Katër persona u vranë dhe pesë të tjerë u plagosën në sulmet ruse në rajonin perëndimor të Ukrainës, Khmelnytskyi gjatë natës, siç deklaruan autoritetet lokale.
Një person u vra dhe pesë të tjerë u plagosën në një sulm me dronë rusë në qytetin jugor Mykolaiv po gjatë natës.
Forcat ajrore ukrainase thonë se kanë rrëzuar 45 raketa ruse dhe 266 dronë sulmues gjatë natës. Në një deklaratë të publikuar në Telegram, u bë e ditur se vendi ka pësuar një sulm me 69 raketa e 298 dronë, që kanë goditur shumicën e rajoneve të tij.
Sulmet ajrore të armikut u raportuan në 22 zona dhe mbetjet nga rrëzimi i dronëve, në 15.
Dronë ukrainas u drejtuan për në Moskë dhe u rrëzuan nga rusët
Njësitë ruse të mbrojtjes ajrore rrëzuan dronë të drejtuar për në Moskë gjatë natës. Kufizime u vendosën fillimisht dhe më pas u hoqën në aeroportet Domodedovo e Zhukovsky të kryeqytetit rus, si dhe në Kaluga. Baza ajrore Migalovo në rajonin Tver të Rusisë u sulmua gjithashtu nga dronët ukrainas gjatë natës, referuar mediave vendase. Autoritetet rajonale thanë se tetë avionë pa pilotë u rrëzuan në zonë.
Një avion me 307 ushtarakë rusë të liruar nga ukrainasit u ul në rajonin e Moskës. Po iu nënshtrohen trajtimit dhe rehabilitimit në objektet mjekësore të Ministrisë së Mbrojtjes. Këta janë 307 ushtarë rusë të riatdhesuar në përputhje me fazën e dytë të marrëveshjeve të arritura në Stamboll me Kievin, në këmbim të të njëjtit numër ushtarësh ukrainas të mbajtur të burgosur nga Moska. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky njoftoi se sot zhvillohet faza e tretë e shkëmbimit me Rusinë.