Celebrities Gossip Showbiz

Zendaya mahnit Londrën me fustanin e pazakontë, çdo detaj lidhej me Spider-Man?

Zendaya ka dëshmuar edhe një herë pse konsiderohet një nga ikonat më të mëdha të modës në Hollywood, teksa tërhoqi të gjitha vëmendjet në fotokallin e filmit “Spider-Man: Brand New Day” në Londër.

Aktorja 29-vjeçare u shfaq me një fustan spektakolar të frymëzuar nga universi i Spider-Man, duke e kthyer paraqitjen e saj në një nga momentet më të komentuara të eventit.

Veshja elegante pa shpinë kishte në pjesën e pasme një rrjetë merimange të punuar me detaje argjendi, e zbukuruar me varëse në formë zemrash, yjesh dhe një tërfili me katër gjethe, duke i dhënë krijimit një pamje artistike dhe simbolike.

Ndërkohë, pjesa e përparme e fustanit ishte frymëzuar nga qielli i natës, me motive të veçanta që plotësonin tematikën e personazhit të famshëm të Marvel-it.

Zendaya u fotografua duke përshëndetur fansat e shumtë gjatë mbërritjes në aktivitet, ndërsa në këtë dalje publike ajo u shfaq e vetme, pa bashkëshortin e saj, Tom Holland.

Vetëm pak javë më parë, çifti kishte bërë paraqitjen e tyre të parë zyrtare në tapetin e kuq pas konfirmimit të martesës, duke ngjallur interes të madh te fansat.

Kjo nuk është hera e parë që aktorja përdor të ashtuquajturin “method dressing”, një stil ku veshjet lidhen drejtpërdrejt me projektin që ajo po promovon.

Gjatë turneut promocional të filmit të ri, Zendaya është shfaqur me disa paraqitje të frymëzuara nga Spider-Man. Në Paris ajo veshi një bluzë vintage me tematikën e superheroit, ndërsa në Romë zgjodhi një kostum në ngjyrat ikonike të kuqe dhe blu.

“Spider-Man: Brand New Day”, filmi i katërt solo i Spider-Man me Tom Holland në rolin kryesor, pritet të dalë në kinema më 29 korrik.

Ngjarjet e filmit zhvillohen katër vite pas “Spider-Man: No Way Home”, ku Peter Parker përpiqet të vazhdojë jetën si Spider-Man në një botë që nuk e kujton më identitetin e tij, ndërsa përballet me sfida të reja dhe kërcënime që mund të rrezikojnë fuqitë e tij.

Paraqitja e Zendaya-s në Londër dëshmoi se ajo di të ndërthurë modën dhe kinemanë në mënyrë unike, duke e kthyer çdo dalje publike në një spektakël më vete.