Kryeministri Albin Kurti njoftoi se emigrantët e Kosovës do të mund të votojnë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në ambasada dhe në konsullata të shteteve ku jetojnë. Sot në një mbledhje të Qeverisë së Kosovës, Kurti u shpreh se kjo është bërë e mundur pas ndryshimit të ligjit.
Do të jenë gjithsej 22 kuti postare, në 22 shtete të ndryshme. Kurse votimi fizik do të organizohet në 35 përfaqësi diplomatike dhe konsullore në 22 shtete.
Kurti iu bëri thirrje të regjistrohen për të drejtën për votim jashtë vendit, si dhe kujtoi se afati është i hapur deri më 26 dhjetor.
Po i drejtohem mërgatës sonë, nga mbledhja e Qeverisë, sepse vota e tyre ka qenë përcaktuese për përbërjen e kësaj qeverie. Siç ka qenë edhe kontributi i saj përcaktues për fatin e mirëqenien e vendit tonë ndër vite. Votimi përmes postës brenda vendit dhe nëpër ambasada e konsullata është fitore e madhe për mërgatën tonë punëtore e patriotike. Deri më tani, padrejtësisht, mërgata është ballafaquar me vështirësi burokratike e barrë financiare, e cila herë ua ka pamundësuar votimin, e herë e ka dekurajuar pjesëmarrjen në votim.
Diaspora e Kosovës është kryesisht e përqendruar në Gjermani, Zvicër, Austri e të tjera vende të Europës. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit ishte mbi 850 mijë deri në fund të 2018-ës.
Ndonëse prej javësh partitë politike në Kosovë kanë nisur takime e tubime me diasporën kosovare, si edhe me qytetarë brenda Kosovës, me rregulloren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, periudha e fushatës së zgjedhjeve fillon 30 ditë para ditës së votimeve.
Në rastin konkret, sipas KQZ-së, periudha e fushatës zgjedhore për partitë politike dhe kandidatët e certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit, zyrtarisht nis më 11 janar 2025.
28 subjekte politike kanë aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Pas mbylljes së afatit zyrtar, në mesin e 28 subjekteve politike janë 20 parti politike, pesë koalicione, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur. Në mesin e subjekteve janë parti shqiptare, të komunitetit serb, dhe komuniteteve tjera më të vogla në Kosovë.
KQZ-ja duhet t’i konfirmojë listat brenda 25 dhjetorit. Zgjedhjet e 9 shkurtit do të jenë të parat e rregullta parlamentare që organizohen në Kosovë, nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.