Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi bëri të ditur se sipas vendimit të KQZ-së, nisi rinumërimi i fletëvotimeve të 185 vendvotimeve të rregullta, që paraprakisht janë numëruar në Qendrat Komunale të Zgjedhjeve.
Vendimi mbështetet në Rregulloren Zgjedhore për funksionimin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve. Elezi deklaroi se në këtë akt nënligjor është parashikuar që KQZ-ja të vlerësojë situatën dhe mund të vendosë për rinumërim të votave nëse do të jetë e nevosjshme.
Kjo masë kontrolli është parashikuar nga KQZ për të adresuar problemet e evidentuara në disa nga Qendrat Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar dhe ka për qëllim të sigurohet që numërimi është zhvilluar me saktësi.
Pas mbylljes së numërimit të të gjitha votave, përfshirë ato nga diaspora, votat me kusht dhe ato të hedhura nga personat me nevoja të veçanta më 7 qershor, sipas rezulateve të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje me kandidatin për kryeministër Albin Kurti, siguroi 53 mandate në Kuvendin e ri, e dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës me 22 deputetë, e cila pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 18 vende dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7 vende në Legjislaturën e 11-të parlamentare, ndërkohë 10 vende janë të sigurta për subjektet politike nga pakicat e komunitetit serb dhe 10 të tjera nga pakicat e tjera.
Pas ankesave të partive pjesëmarrëse në zgjedhjet e 7 qershorit, KQZ-ja pritet të publikojë rezultatin përfundimtar dhe më pas të vijojë me certifikimin.