Policia e Tiranës ka fokusuar kërkimet për gjetjen e Eglant Koçit në zonat malore të kryeqytetit. Të dhënat nga grupi hetimor bëjnë me dije, se kontrolle janë kryer në Pëllumbas dhe Qafë Mollë, aty ku sipas informacioneve, autori i dyshuar Armand Shakaj shkonte shpesh.
Po sipas të njëjtave burime, kontrollet në Pëllumbas janë intensifikuar pas një informacioni, se automjeti i autorit është parë nga disa banorë të zonës pikërisht atje.
Policia ka konfirmuar se bazuar në të dhënat e sistemit TIMS, Shakaj nuk ka dalë jashtë vendit, të paktën në Pikë Kalimet Kufitare, ku dyshohet se 41-vjeçari po fshihet brenda vendit.
Policia e mori në pyetje Shakën menjëherë pas denoncimit të familjarëve të Koçit, ku deklaroi përpara policisë se nuk kishte dijeni se edhe vetë ishte i shqetësuar që shoku i tij kishte humbur gjurmët.
Policia vendosi që ta mbajë nën mbikëqyrje 41-vjeçarin, ku nga tabulatet telefonike të Koçit rezultoi se kishte qenë pikërisht Shakaj personi i fundit që e kishte telefonuar Koçin.
Pavarësisht mbikëqyrjes policore, prej ditësh është në kërkim dhe ende nuk është lokalizuar nga uniformat blu.
Burime nga grupi hetimor, bëjnë me dije po ashtu se Shakaj ka një problem shëndetësor, ndaj dhe uniformat blu kanë kërkuar bashkëpunimin edhe të bluzave të bardha, nëse ai paraqitet për ndihmë mjekësore, si në spitalet publike, por edhe ato private.