Aktualitet

Zjarr në plazhin e Tales, flakët përhapen pranë zonave turistike në Lezhë

Një vatër zjarri është shfaqur në zonën me kallamishte pranë plazhit të Tales në Lezhë, duke u përhapur me shpejtësi përgjatë vijës bregdetare.

Sipas informacioneve paraprake, flakët janë favorizuar nga era e fortë, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme që shtrihet në disa qindra metra deri në rreth një kilometër gjatësi.

Në zonë kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse të Lezhës, të cilat po hasin vështirësi për shkak të terrenit të vështirë dhe pranisë së kënetave, që e bëjnë të pamundur afrimin e mjeteve pranë vatrës së zjarrit.

Pranë zonës së prekur ndodhen edhe disa struktura turistike dhe objekte shërbimi, ndërsa ekipet zjarrfikëse janë në gatishmëri për të parandaluar përhapjen e flakëve drejt tyre.

Autoritetet po vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e plotë të zjarrit.