Një nga zjarret më të rënda të viteve të fundit në Spanjë ka shkaktuar të paktën 12 viktima, ndërsa 23 persona rezultojnë të zhdukur në rajonin e Almerías, në juglindje. Autoritetet spanjolle bëjnë me dije se katër britanikë janë mes atyre që humbën jetën ndërsa numri i të vdekurve pritet të rritet.
Qindra zjarrfikës dhe ekipe të emergjencës nuk i kanë ndalur operacionet për shuarjen e flakëve dhe kërkimin e të zhdukurve në zonat Bedari e Los Gallardo, ku zjarri u përhap me shpejtësi për shkak të temperaturave që arritën rreth 40 gradë Celsius, tokës së tharë dhe erërave të forta.
Autoritetet po hetojnë shkaqet e zjarrit. Dyshimet fillestare u përqendruan te një linjë elektrike e rrëzuar, por kompanitë e energjisë elektrike mohuan që ky të ishte shkaku.
Ministri i Shëndetësisë dhe Emergjencave i Andaluzisë, Antonio Sanz, deklaroi se shumica e viktimave mund të jenë të huaj. Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe dhe autoritetet spanjolle, ende nuk kanë bërë publikë identitetet e viktimave.
Banorët dhe turistët përshkruajnë skena dramatike gjatë evakuimit. Një turiste britanike tha për BBC-në se tymi dukej “si një re në formë kërpudhe, sikur të kishte shpërthyer një bombë”, ndërsa shtoi se disa persona mund të mos kenë arritur të largohen në kohë nga zona e rrezikut.
Shërbimi Meteorologjik Spanjoll parashikon përmirësim të kushteve atmosferike gjatë ditës së sotme, me temperatura më të ulëta dhe erë më të moderuar, çka pritet të ndihmojë në përpjekjet për vënien nën kontroll të flakëve.
Ky është një nga zjarret më vdekjeprurës në historinë e Spanjës. Ekspertët theksojnë se ndryshimet klimatike po favorizojnë valë më intensive të të nxehtit dhe zjarre gjithnjë e më shkatërrues në Europën Jugore.