Aktualitet

“Zjarret nga pakujdesia”/ Situata në Lezhë, drejtori MZSH: Shumica e problemeve vijnë nga gabimet njerëzore

Temperaturat e larta dhe era kanë rritur ndjeshëm rrezikun e zjarreve në qarkun e Lezhës.

Vetëm gjatë ditëve të fundit janë regjistruar disa vatra, kryesisht në zona me shkurre dhe pyje, duke angazhuar për orë të tëra forcat zjarrfikëse.

Në disa raste, flakët iu afruan zonave të banuara dhe bizneseve, por ndërhyrja në kohë bëri të mundur shmangien e pasojave më të rënda.

Sipas drejtorit të Shërbimit Zjarrfikës, shumica e zjarreve dyshohet se janë shkaktuar nga pakujdesia njerëzore. Për këtë arsye, ai u bën thirrje qytetarëve të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, sidomos në ditët kur temperaturat arrijnë vlera shumë të larta.

“Është momenti që te gjithë duhet et reflektojmë, si të ruajmë pasurinë, pyjet, malet, si të ruajmë pronat tona”, përfundoi ai.

Një verë me temperatura të larta kërkon më shumë kujdes dhe përgjegjësi nga të gjithë. Ndërsa zjarrfikësit mbeten në gatishmëri 24 orë në 24, autoritetet theksojnë se mënyra më e mirë për të shmangur dëmet është parandalimi.