Spanja ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili e kritikoi Madridin për qëndrimin ndaj objektivit të rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes brenda NATO-s.
Pas komenteve të Trumpit gjatë samitit të NATO-s në Ankara, burime nga qeveria spanjolle, të cituara nga gazeta El País dhe transmetuesi publik TVE, deklaruan se Madridi i ka pritur këto deklarata “me qetësi dhe normalisht”.
“Spanja mban një marrëdhënie të shkëlqyer sociale, kulturore dhe ekonomike me Shtetet e Bashkuara dhe qëllimi ynë është që kjo të mos ndryshojë”, mësohet të kenë thënë burimet nga qeveria spanjolle.
Trump e cilësoi sërish Spanjën si një “partner të tmerrshëm” të Aleancës Atlantike, për shkak të refuzimit të saj për të rritur shpenzimet ushtarake deri në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.
Presidenti amerikan ka insistuar vazhdimisht që vendet anëtare të NATO-s të kontribuojnë më shumë financiarisht për mbrojtjen e përbashkët, duke kritikuar veçanërisht ato shtete që nuk përmbushin objektivat e reja të aleancës.
Nga ana tjetër, Spanja ka mbajtur një qëndrim më të rezervuar ndaj këtij objektivi, duke argumentuar se rritja e shpenzimeve duhet të jetë në përputhje me prioritetet ekonomike dhe sociale të vendit.