Numri i viktimave nga zjarret që përfshinë juglindjen e Koresë së Jugut ka shkuar në të paktën 22, ndërsa autoritetet njoftuan se shifrat mund të vazhdojnë të rriten. Agjencia zyrtare e lajmeve “Yonhap” njoftoi se të paktën 18 vetë gjetën vdekjen që nga pasditja e djeshme, duke e çuar në 22, numrin e përgjithshëm të viktimave. Një person u raportua i zhdukur dhe dy të tjerë të plagosur rëndë.
Sipas “Yonhap”-it, rreth 5 mijë zjarrfikës e më shumë se 140 helikopterë janë aktualisht në terren për të luftuar zjarret, të cilat tashmë kanë shkatërruar afro 17 mijë hektarë pyje. Autoritetet kanë shpallur të paktën katër qarqe në rajon si zona të fatkeqësisë.
Zjarret që filluan të premten e kaluar në kontenë Sancheong, rreth 250 kilometra në juglindje të Seulit, kanë shkaktuar shkatërrime të konsiderueshme. Disa vende historike janë shkatërruar.
Tempulli Goun në Uiseong, i ndërtuar në vitin 681 u shkatërrua. Thesaret kombëtare të ruajtura në tempullin antik ishin zhvendosur përpara shkatërrimit të tij.
Fshati historik Hahoe, të cilin UNESCO e shpalli sit të Trashëgimisë Botërore në vitin 2010, gjithashtu rezulton i kërcënuar nga flakët. Autoritetet koreano-jugore kanë urdhëruar evakuime për të mbrojtur banorët.
Zjarret janë nxitur nga erërat e thata e një thatësirë e zgjatur.
Zjarret nuk janë të rralla në Korenë e Jugut gjatë periudhave të thata. Vitet e fundit, në vend janë rritur si temperaturat mesatare ashtu edhe ngjarjet ekstreme të motit, duke rritur ndjeshëm rrezikun dhe ashpërsinë e zjarreve. Shtimin e tyre, ekspertët po e konsiderojnë si një shenjë të efekteve të vazhdueshme të ndryshimeve klimatike.