Aktualitet Politikë

Kryeministri Rama, vizitë në Korenë e Jugut/Agjenda e takimeve!

Nga dje, kryeministri Edi Rama ka nisur një vizitë zyrtare në Republikën e Koresë së Jugut, i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama dhe një delegacion. Vizita që zgjat deri më 21 maj, synon thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, si edhe zgjerimin e partneritetit, në fusha me interes të ndërsjellë për zhvillimin, teknologjinë e inovacionin.

Në Seul, kryeministri është i ftuar në një darkë mirëseardhjeje të organizuar nga Qendra për Lidershipin Aziatik dhe Klubi Harvard i Koresë, organizata të angazhuara në promovimin e lidershipit, arsimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në Azi.

Në këtë aktivitet do të marrin pjesë përfaqësues të politikës, qeverisë e biznesit korean. Agjenda e Ramës përfshin takime me Kryeministrin e Republikës së Koresë, Kim Minseok, si dhe me CEO-n e Samsung, Lee Jae-yong.

Në ceremoninë hapëse të Konferencës prestigjioze të Lidershipit Aziatik, shefi i qeverisë shqiptare mban një fjalë përshëndetëse përkrah personaliteteve të rëndësishme ndërkombëtare.

Po ashtu, kryeministri është i ftuar i veçantë në panelin me temë “Bisedë me një udhëheqës: Një epokë e transformimit të madh: strategjia e madhe e një kombi të vogël”, ku trajtohen sfidat e reja globale nga perspektiva e Ballkanit Perëndimor, strategjitë e vendeve të vogla përballë ndryshimeve gjeopolitike, si edhe roli i Inteligjencës Artificiale e inovacionit digjital në qeverisje.

Agjenda e vizitës përfshin edhe një sërë takimesh me drejtues të kompanive më të mëdha koreane, me fokus bashkëpunimin ekonomik e mundësitë e investimeve në Shqipëri.

Në kuadër të vizitës, Rama do të marrë pjesë gjithashtu në një dialog ekskluziv me liderët e rajonit Azi-Paqësor (APAC).