Zyrtari për energjinë i presidentit amerikan Donald Trump, Kris Rajt, u bëri thirrje vendeve evropiane që të ndalojnë blerjen e naftës dhe gazit natyror nga Rusia, nëse duan që Shtetet e Bashkuara të marrin një qëndrim më të ashpër kundër Moskës përmes sanksioneve më të rënda.
Në një intervistë për Financial Times, Rajt theksoi se tregtia energjetike me Rusinë vazhdon të financojë “makinerinë e luftës” të Vladimir Putinit, ndërsa bëri thirrje që Evropa të orientohet më shumë drejt produkteve energjetike amerikane, si gazi i lëngshëm natyror (LNG), nafta dhe derivatet e tjera të karburanteve fosile.
“Nëse evropianët vendosin një kufi të qartë dhe thonë: ‘Nuk do të blejmë më gaz apo naftë ruse’, kjo do të ndikonte pozitivisht edhe në qëndrimin amerikan. Do të ishte një shtysë për të përshkallëzuar presionin mbi Moskën përmes sanksioneve të reja,” – tha Rajt, përpara takimeve me përfaqësues të Bashkimit Evropian në Bruksel këtë javë.
Sipas tij, është në interesin ekonomik dhe strategjik të Evropës që të zëvendësojë furnizuesit armiqësorë me aleatë të besueshëm, si SHBA.
“Qëllimi kryesor i administratës Trump dhe besoj edhe i BE-së, është të ndalet lufta në Ukrainë. Rusia e financon këtë luftë përmes eksportit të gazit dhe naftës. Nëse Evropa i ndërpret këto blerje, të ardhurat e Moskës do të bien ndjeshëm,” – shtoi ai.
Marrëveshja tregtare SHBA-BE në fokus
Rajt kujtoi gjithashtu se sipas marrëveshjes tregtare ndërmjet SHBA dhe BE, vendet evropiane janë të angazhuara të blejnë produkte energjetike amerikane në vlerë prej 750 miliardë dollarësh deri në fund të vitit 2028. Kjo marrëveshje synon të forcojë partneritetin energjetik transatlantik dhe të reduktojë varësinë e Evropës nga burimet ruse.
Presion nga Brukseli për më shumë sanksione
Ndërkohë, Brukseli po i kërkon Uashingtonit të ashpërsojë sanksionet ekonomike ndaj Rusisë, për të rritur presionin mbi presidentin Putin dhe për të përshpejtuar përpjekjet për një marrëveshje paqeje në Ukrainë.