Aktualitet Rajoni

17 shkurt 2008, 17 vjet nga pavarësia e Kosovës!

17 shkurtin e këtij viti shënohen 17 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës. Një sërë aktivitetesh janë planifikuar, ndërkohë flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë valëviten në sheshet kryesore të Prishtinës.

Siç është bërë traditë gjithçka nis me mbledhjen festive të Qeverisë së Kosovës, ngritjen e Flamurit të Kosovës, nderime te Monumenti i të Pagjeturve dhe Memoriali i Fëmijëve të vrarë e Monumenti Heroinat, homazhe te varret e ish-presidentit Ibrahim Rugova, veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçi, si dhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Në sheshin “George Bush” do të parakalojnë trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës. Koncerti i Pavarësisë do të mbahet në Sheshin “Skënderbeu”.

Sot zhvillohet edhe konferenca e parë shkencore për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Pritja shtetërore nga presidentja, kryeparlamentari e kryeministri i Kosovës, dhe koncerti solemn i Filarmonisë së Kosovës. Pavarësia e Kosovës u shpall më 17 shkurt 2008 dhe deri tani është njohur nga më shumë se 110 shtete të botës.