Drejtuesit më të lartë të shtetit, urojnë 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Në një mesazh, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj shkruan:
Urime Ditën e Pavarësisë, Kosovë! Nderim përjetë mijëra burrave dhe grave që sakrifikuan për lirinë e pavarësinë! Faleminderit të gjithë miqve e aleatëve tanë që janë krah teje! Gëzuar!
Kryeministri Edi Rama uron Kosovën në 17-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Në një postim në rrjetet sociale, shkruan:
Mirëmëngjes Kosovë! Gëzuar pavarësinë dhe mbarësi gjithmonë!
Më 17 shkurt të vitit 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli njëzëri Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Shpallja e Pavarësisë ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e vendit. Për vite me radhë, ata vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviçit, çka rezultoi më një Luftë Çlirimtare (1997-99). Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare.
Në nëntor të vitit 2005, zyrtarisht nisi procesi për statusin përfundimtar të Kosovës. Pas konsultimeve gjithëpërfshirëse, më 2 shkurt të vitit 2007 i dërguari special ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit te pavarur. Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt të vitit 2008.