Bota

25 të vrarë në Gaza, ushtria izraelite hapi zjarr ndaj njerëzve që po prisnin për ndihma!

Forcat izraelite kanë hapur zjarr, si dhe përdorën dronë ndaj qindra njerëzve që prisnin kamionët me ndihma në pjesën qendrore të Rripit të Gazës në orët e para të mëngjesit të sotëm, duke vrarë të paktën 25 njerëz, sipas dëshmitarëve palestinezë e burimeve spitalore. Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar.

Spitali Avda në kampin e refugjatëve Nuseirat që pranoi viktimat deklaroi se palestinezët po prisnin kamionët në rrugën Salah al-Din, në jug të Gazës. Dëshmitarët i thanë agjencisë Associated Press se forcat izraelite hapën zjarr teksa njerëzit po lëviznin drejt lindjes për të shkuar më afër kamionëve me ndihma që po vinin drejt tyre.

Kjo është masakër, tha Ahmed Halava. Ai tregoi se ushtria izraelite hapi zjarr me tanke dhe dronë mbi njerëz, madje edhe kur po iknin. Shumë njerëz u martirizuan ose u plagosën.

Një dëshmitar tjetër, Hossam Abu Shahada, tha se dronët po fluturonin mbi zonë, duke vëzhguar turmën fillimisht dhe pastaj filluan të shtënat nga tanket e dronët teksa njerëzit po lëviznin drejt lindjes. Ai përshkroi gjendjen si “kaotike dhe të përgjakshme” me njerëzit që po përpiqeshin të shpëtonin.

Spitali Awda bëri të ditur se edhe 146 palestinezë të tjerë u plagosën. Mes tyre, 62 ishin në gjendje kritike dhe u transferuan në spitale të tjera në Gazën qendrore.

Në qytetin qendror Deir al-Balah, spitali i Dëshmorëve të Al-Aqsa/s njoftoi se pranoi trupat e gjashtë viktimave. Lufta në Gazë filloi kur militantë të udhëhequr nga Hamasi sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe marrë afro 250 pengje. Shumica e tyre janë liruar përmes marrëveshjeve për armëpushim.

Hamasi është grup militant i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Prej atëherë, lufta hakmarrëse e Izraelit ka vrarë më shumë se 56.000 njerëz në Gazë, shumë prej tyre gra dhe fëmijë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.