Në Rripin e Gazës, situata humanitare dhe e sigurisë vijon të përkeqësohet me shpejtësi alarmante.
Vetëm gjatë 48 orëve të fundit, janë raportuar më shumë se 200 viktima, shumica e të cilëve humbën jetën duke pritur për ndihma ushqimore.
Që nga përfundimi i armëpushimit në mars, numri total i të vrarëve në këtë zonë ka arritur në 5,600 persona, duke shënuar një nga periudhat më vdekjeprurëse të konfliktit të vazhdueshëm.
Dje, bombardime të reja goditën pjesë të rëndësishme të Gazës, përfshirë qytetin e Khan Younis, duke përkeqësuar më tej krizën dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe njerëzore.
LEXO EDHE: UNICEF paralajmëron: Gaza në krizë për ujë, fëmijët rrezikojnë të vdesin nga etja
Autoritetet ndërkombëtare dhe organizatat humanitare kanë bërë thirrje urgjente për ndërprerje të menjëhershme të dhunës dhe dërgim të ndihmave për popullsinë civile në nevojë, ndërsa situata në terren mbetet tepër kritike.
Tre javë më parë, Izraeli e hoqi pjesërisht bllokadën e vendosur në Gazë, e cila kishte pamundësuar hyrjen e furnizimeve në territorin palestinez për pothuajse tre muaj.
Që kur është hequr pjesërisht bllokada, pothuajse çdo ditë ka pasur raportime për palestinezë të vrarë pranë qendrave të shpërndarjes së ndihmës.
Lufta në Gazë filloi kur militantë të udhëhequr nga Hamasi sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 njerëz dhe duke marrë afër 250 pengje. Izraeli thotë se 58 pengje mbeten në Gazë, megjithëse besohet se rreth 35 prej tyre janë të vdekur.