Rajoni

26 vjet pas bombardimeve të NATO-s, Osmani: Kosova e palëkundur drejt të ardhmes më të ndritur!

Presidentja Vjosa Osmani, theksoi se 26 vjet pas bombardimeve të NATO-s mbi objektivat policore e ushtarake në ish-Jugosllavi, Kosova ecën “krenare, sovrane dhe e palëkundur drejt të ardhmes më të ndritur”. Në një shkrim në Facebook, 24 marsin 1999 e përshkruan si dita kur liria mori krahë dhe bota demokratike nuk heshti.

Dita kur aleatët e NATO-s u ngritën kundër së keqes, për ta mbrojtur një popull që po luftonte për ekzistencë, i rrezikuar nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Ishte dita kur ndaj errësirës triumfoi drita e shpresës. Falënderoj aleatët e vendit që ndihmuan kauzën tonë për Kosovën shtet të lirë, të pavarur e sovran.

NATO nisi sulmet ndaj shënjestrave ushtarake policore në ish-Jugosllavi, pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999. Pas 78 ditëve sulme, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me Marrëveshjen Teknike të Kumanovës, e cila përfshinte tërheqjen e të gjitha forcave ushtarake e policore serbe nga Kosova.

Akordi u pasua nga miratimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ky dokument ishte kompromis i pesë vendeve të përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit. Mbi bazën e tij, në Kosovë u vendos një administratë e Kombeve të Bashkuara – UNMIK, e cila administroi fazën tranzitore deri në ngritjen e institucioneve vendore dhe zgjidhjen e përhershme të statusit të Kosovës.

Më 12 qershor 1999 filloi vendosja e rreth 50 mijë ushtarëve nga 36 vende të botës. 30 mijë prej tyre ishin nga vendet e NATO-s. Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR vijon të jetë i pranishëm edhe sot e kujdeset për sigurinë e Kosovës. Në luftën e zhvilluar në Kosovë, në vitet 1998-1999, janë vrarë mbi 13 mijë civilë e mijëra të tjerë u zhdukën. Më shumë se 1 mijë e 600 persona vazhdojnë të jenë ende të zhdukur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.