Rajoni

26 vjet nga bombardimet e NATO-s kundër regjimit të Millosheviçit!

Sot mbushen 26 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër objektivave ushtarake-policore të Serbisë dhe Malit të Zi. Sulmet patën filluar në orën 19:45, kur avionët e Aleancës Veri-Atlantike lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së Jugosllavisë, që në përbërje kishte dy republikat e Serbisë dhe Malit të Zi.

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e dha presidenti amerikan i kohës, Bill Clinton, i cili mbajti para popullit të tij një fjalim historik, duke lajmëruar se kishte urdhëruar Aleancën Veri-Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësia e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por, presidenti Millosheviç, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë-Hercegovinë, ka vendosur në favor të agresionit në vend të paqes, deklaronte Clinton.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviç e më 11 qershor, forcat e armikut filluan të lëshonin territorin e Kosovës. Kjo është ndërhyrja e parë ushtarake e NATO-s që nga formimi i saj, e cila njihet edhe si ndërhyrje historike.