Aktualitet

3 ditë afat, diaspora nxiton për t’u regjistruar në zgjedhjet e 11 majit!

Edhe 3 ditë afat ka diaspora, deri më 4 mars, për tu regjistruar në sistemin e KQZ-së për të votuar për herë të parë me postë në zgjedhjet e 11 majit.

Deri më tani, kanë bërë kërkesë për regjistrim 250 mijë zgjedhës, ndërsa rreth 204 mijë prej tyre janë miratuar. 41.885 zgjedhësve unikë u është refuzuar kërkesa.

Italia, kryeson me numrin më të lartë të emigrantëve të regjistruar,  pasuar nga Greqia, Gjermania, SHBA-të e Mbretëria e Bashkuar, ndërsa emigrantët më së shumti janë nga Tiranë.

KQZ ka shpallur objektivin për 250 mijë regjistrime deri më 4 mars, çka me kërkesat është arritur, por pritet të shihet nëse emigrantët e refuzuar gati 42 mijë, do të riaplikojnë sërish derisa të pranohen, dhe se sa të tjerë mund ta kenë lënë aplikimin për në moment të fundit.

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, u bëri një thirrje nga Janina të gjithë emigrantëve shqiptar që ende nuk janë regjistruar, pasi mbeten vetëm 3 ditë deri në mbylljen e aplikimeve.

 “Thirrja ime shkon për të gjithë ata bashkatdhetarë të cilët nuk janë regjistruar ende. Kanë mbetur edhe 3 ditë në dispozicionin tuaj, përfshirë edhe të martën gjithashtu, për t’u regjistruar deri në orën 24 të ditës së martë’, tha ai.