Kërkesa e PD për mocionin me debat për kërkesat e protestuesve dhe raportin e Parlamentit Europian është rrëzuar në Konferencën e Kryetarëve pasi nuk arriti dakordësinë. Tashmë kërkesa i kalon seancës për vendimmarrje.
Me thirrjen për të dëgjuar zërin e qytetarëve, deputetët e opozitës thanë në Konferencën e Kryetarëve se parlamenti e ka detyrim diskutimin për kërkesat e protestuesve dhe raportin e Parlamentit Europian. Njëzëri, ata thanë se PE e përmend protestën si shqetësim në raport.
Gazment Bardhi i përsëriti mazhorancës se e ka tmerr debatin pasi “kjo rezolutë ju nxin në çdo fjali, nga fillimi deri në fund.” Ai sulmoi edhe Taulant Ballën për të cilin u shpreh se “thotë të pavërteta” pasi fillimisht deklaroi se debati do të bëhej, por u spraps pas miratimit të raportit.
“Ju kemi tmerr nga debati për Raportin e PE. Ju nxin në çdo fjali. Taulant Balla vjen këtu dhe thotë të pavërteta. Është ai që në seancë ka thënë se mund të zhvillojmë një mocion me debat për raportin e Parlamentit Europian për Shqipërinë edhe pa u miratuar më parë atje. Tani që raporti është miratuar, thotë se nuk mund të zhvillohet. Ju doni ta shmangni debatin mbi këtë raport, sepse ai ju nxin. Ndryshe nga sa përpiqeni ta paraqisni ju. Nëse është ashtu siç keni thënë, një medalje për qeverinë, hajde ta diskutojmë. Pse i fshiheni debatit për raportin e Parlamentit Europian? Hajdeni dhe ta bëjmë debatin në seancë. Gjeni paragrafin që ju vlerëson. Keni dy javë që na keni lodhur veshët duke folur për një rezolutë historike që, sipas jush, vërteton sukseset e mëdha të qeverisë. Atëherë pse fshiheni? Apo e vërteta është një tjetër? Kjo rezolutë ju nxin në çdo fjali, nga fillimi deri në fund. Ajo flet për ligje korruptive. Ju tërheq vëmendjen për mbrojtjen politike që i bëtë korrupsionit të Belinda Ballukut. Ju kritikon ashpër sa i përket ligjeve me porosi dhe ligjeve klienteliste. Ngre alarmin për lirinë e medias. Ju nuk mund ta mohoni këtë debat parlamentar. Keni qenë vetë ju, e përsëris, që në seancë keni thënë se debati parlamentar do të zhvillohet pasi raporti të miratohet në Parlamentin Europian. Kjo është një detyrë që ne duhet ta bëjmë. Nëse ky Kuvend nuk e ka thjesht propagandë integrimin europian, atëherë e ka detyrë të zhvillojë këtë debat”, tha Bardhi.
Duke iu referuar protestave të PD, Balla akuzoi deputetët se po deformojnë kërkesat e protestuesve dhe po flasin në emër të tyre. Madje i sfidoi që nëse duan dorëheqjen e qeverisë, të bëjnë një mocion mosbesimi dhe të mbledhin firmat.
“Keni ardhur këtu me kërkesat e protestuesve, madje dhe i keni deformuar ato. E para unë nuk iu qas e as ju njoh fare për përfaqësues të protestës. Ju jeni humbësit më të mëdhenj të kësaj proteste. E dyta kërkoni mocion me debat për dorëheqjen e qeverisë. Po keni këllqe dhe fundshpinë hajde bëni mocion mosbesimi, mblidhni firmat dhe caktoni kandidatin tuaj për kryeministër”, i sfidoi kreu i grupit parlamentar të PS.
“Ky Parlament është totalisht jashtë realitetit. Nëse ju, si mazhorancë, kërkoni të silleni kështu, ne si opozitë nuk do ta lejojmë. Ju nuk mund të silleni normalisht në këtë sallë, kur sheshi përpara saj prej 25 ditësh është i mbushur plot me qytetarë që kërkojnë largimin e qeverisë dhe të kryeministrit, dhe që kanë kërkesa konkrete. Zëri i kësaj proteste ka shkuar deri në Parlamentin Europian dhe shqetësimet e tyre janë bërë pjesë e raporteve të fundit të Parlamentit Europian. Ju e keni raportin dhe po jua citoj këtu. Është Parlamenti Europian që ka diskutuar për zgjedhjet dhe për korrupsionin. Ka diskutuar për imunitetin e Belinda Ballukut dhe ka dënuar mbrojtjen politike që ju i garantuat. Protestuesit flasin për gjendjen e vështirë ekonomike, një shqetësim që është ngritur edhe nga partnerët tanë europianë. Ata kanë folur edhe për ligje që e trajtojnë pronën publike si plaçkë korrupsioni. Keni ligjin për investimet strategjike, të cilin prej 10 vitesh vazhdoni ta shtyni. Ndërkohë, nuk keni asnjë investim strategjik të mirëfilltë, por vetëm të ashtuquajtur investitorë që janë klientët tuaj. Prandaj, dëgjoni zërin e protestuesve dhe hiqni dorë nga sulmet ndaj tyre”, tha Jorida Tabaku.
Duke e quajtur “absurd” mostrajtimin e protestave në Kuvend, deputeti i PL, Tedi Blushi tha se parlamenti duhet të ketë “kryeaxhendë kërkesat e shqiptarëve.”