Tre fluturime speciale të Forcave Ajrore Italiane që transportojnë një grup fëmijësh palestinezë të evakuuar nga Rripi i Gazës për t’u trajtuar me ndihmë mjekësore në Itali, janë nisur nga Aeroporti i Eilatit në Izraelin jugor. Vetë kryeministrja italiane Giorgia Meloni po ndjek operacionin që përfshin kthimin të tre avionëve C-130 që transportojnë 31 pacientë të rinj dhe 86 shoqërues, me një total prej 117 personash. Ky është operacioni më i madh i kryer deri më tani, i koordinuar nga zyra e kryeministres italiane, si pjesë e përpjekjeve humanitare të Italisë për të ndihmuar popullsinë civile të Gazës.
Avioni i parë do të mbërrijë në Aeroportin Ciampino të Romës, ku grupi do të pritet nga ministri i Jashtëm Antonio Tajani. Dy avionët e tjerë do të mbërrijnë në Aeroportin Linate të Milanos dhe atë të Pizës dhe më pas pacientët do të dërgohen në mjediset më të përshtatshme të kujdesit shëndetësor në dispozicion. Ky është evakuimi i 14-të mjekësor i kryer nga Italia që nga janari 2024. Operacioni është gjithashtu më i madhi deri më sot, me 31 pacientë dhe shoqëruesit e tyre. Pacientët e rinj vuajnë të gjithë nga sëmundje të rënda kongjenitale ose plagë dhe amputime të rëndësishme. Ky operacion nga Italia vjen në një kohë kur nga Tel Avivi njoftojnë se shefi i Shtabit të IDF-së, ka miratuar skicën e përgjithshme të ofensivës së ardhshme ushtarake për të pushtuar qytetin e Gazës.