Për herë të parë në Shqipëri, po ndërtohet një gjuhë e vetme klinike për trajtimin e kancerit. 38 udhërrëfyes kombëtarë që do të shndërrohen në protokolle detyruese, në të gjitha spitalet bashkiake dhe rajonale, që çdo pacient, kudo ku jeton, të marrë të njëjtin standard kujdesi si në qendrat më të mira europiane.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala:
Ne po kalojmë nga një sistem që reagon ndaj sëmundjes, në një sistem që e parandalon atë. Kanceri nuk luftohet vetëm në sallat e operacionit apo në qendrat e kimioterapisë; ai luftohet në komunitet, në qendrat shëndetësore, në programet e vaksinimit, në depistimin e hershëm dhe në edukimin shëndetësor.
Për këtë arsye, udhërrëfyesit e rinj vendosin në qendër parandalimin, depistimin dhe diagnostikimin e hershëm. Qëllimi ynë është që sëmundja të zbulohet sa më herët, kur shanset për trajtim dhe shërim janë më të larta dhe jo kur pacienti mbërrin me vonesë në sistem.
Një nga ndryshimet më të mëdha që po sjell reforma është krijimi i një rrjeti të integruar kombëtar për kujdesin onkologjik. Nga mjeku i familjes, te spitali i rrethit, te qendrat rajonale dhe QSUNT-ja, pacienti nuk do të mbetet më vetëm për të gjetur rrugën e trajtimit.
Sistemi do të jetë ai që do ta udhëheqë pacientin, me referime elektronike, me protokolle të qarta dhe me koordinim të plotë ndërmjet strukturave shëndetësore.