Aktualitet

QSUT, koncesionari s’ofron analiza pas datës 20 të çdo muaji, ministrja Sala e pranon: E zgjidhim brenda vitit

Për herë të parë Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale e pranon se pas datës 20 të çdo muaji, pacientët në spitale përballen me mungesë të shërbimit të analizave nga ana e koncesionarit. Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja Evis Sala, premtoi se ky ngërç do të zgjidhet brenda vitit.

“Aktualisht një nga metodat është mbledhja e të dhënave dhe mbi bazën e të dhënave bëhet planifikimi i shërbimit. Prandaj mbledhja e të dhënave, kemi mbledhur të dhëna për të parë sepse nuk duhet të mungojnë analizat jo vetëm në datën 20 por dhe në datën 30. Këtë po e adresojmë dhe do e zgjidhim brenda këtij viti”, tha Sala.

Prej disa vitesh, në dhjetëditëshin e fundit të çdo muaji, ndërpritet shërbimi i analizave, kur  arrihet edhe tavani buxhetor mujor për koncesionarin, duke bërë që analiza kryhen vetëm për rastet e urgjencave.

Ky shërbim prej vitit 2019 ofrohet nga konsorciumi “BOE Labopharma Sh.p.k & Exalab Francë & AB Laboratory Solutions B.V Holandë, me përfaqësues Labopharma Sh.p.k. Sipas kontratës mes Fondit i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe QSUT-së, koncesionari njofton spitalin për arritjen e 75% për qind të tavanit buxhetor mujor.

Pas këtij tavani, në laborator pranohen analizat për pacientet e referuar e4 më pas vetëm për rastet e urgjencave. Sipas kontratës, kur arrihet tavani 100%, koncesionari e vijon shërbimin për rastet urgjente pa pagesë.

“Koncesioni laboratorik i spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës” u firmos në mbledhjen e 24 prillit 2019 nga qeveria dhe hyri në fuqi në dhjetor të po atij viti. Vlera e kontratës është 13 miliardë lekë dhe afati i saj përfundon në vitin 2028.