Afërsisht 47% e popullsisë mbi 15 vjeç në Shqipëri ka arritje të ulëta arsimore dhe një pjesë tjetër 35.2%, vlerësohet se kishte njohuri mesatare në vitin 2023, siç evidentojnë të dhënat statistikore të Fondit Europian të Trajnimeve (ETF) një njësi që operon me financime të KE-së për politika që kanë të bëjnë me kapitalin njerëzor në vendet europiane, që ende nuk janë pjesë e BE-së.
Vetëm një pjesë, 18.1% e popullsisë mbi 15 vjeç kishte arritje të larta arsimore. Sipas ETF-së, kjo do të thotë se gati gjysma e popullsisë së Shqipërisë mbi 15 vjeç, nuk është në gjendje të lexojë e të shkruajë një deklaratë të shkurtër të thjeshtë për jetën e përditshme dhe ta kuptojë. Gjithashtu, nuk është në gjendje të bëjë llogaritje të thjeshta në aritmetikë.
Me këto aftësi, popullsia e Shqipërisë nuk mund të prodhojë forcë të aftë pune që mund të çojë vendin në të tjera nivele të zhvillimit. Tani, kur popullsia e vendit po plaket me shpejtësi dhe revolucioni teknologjik kërkon përditësimin të aftësive, Shqipëria mbetet shumë pas.
Sipas INSTAT-it, vitin e kaluar, shkalla e pjesëmarrjes në arsimin dhe trajnimin formal e joformal në popullsinë 25 deri në 34 vjeç qëndron në 1.8% dhe nën 0.5% për kategoritë e tjera mbi këtë moshë. Ky rezultat është shumë larg mesatares së BE-së, duke nënvizuar nevojën për të rritur mundësitë për aftësimin dhe trajnimin e të rriturve, rekomandon ET-ja.
Mirëpo vendit tonë i mungojnë shkollat e veçanta dhe qendrat e tjera burimore për aftësimin e popullsisë së rritur. Shqipëria ka nënshkruar marrëveshjet e asocimit për Programin e Europës Digjitale. Bizneset dhe administrata publike do të kenë akses në thirrjet e programit me buxhet prej 7.5 miliardë eurosh deri në vitin 2027, për të gjitha vendet.
Qeveria shqiptare ka marrë disa angazhime që synojnë të zbatohen në vijim. Këtë vit, pritet të përfundojë një studim fizibiliteti e një udhërrëfyes për të mësuarit gjatë gjithë jetës. Përveç ambienteve, vendi ynë duhet të zhvillojë edhe platforma të posaçme për mësime ndaj popullsisë së rritur.
Ndryshimet demografike me plakjen e shpejtë dhe normat e larta të emigrimit, paraqesin sfida të mëdha. Popullsia e Shqipërisë po plaket e po përqendrohet në Tiranë, ndërsa shumica e rajoneve përballen me shpopullim. Sistemi arsimor po lufton me rënien e numrit të nxënësve, sidomos në arsimin profesional dhe nga ana tjetër, ekziston një nevojë kritike për zhvillimin nismave të të mësuarit gjatë gjithë jetës./Monitor