Bota moderne duket sikur është ndërtuar pothuajse tërësisht për njerëzit që përdorin dorën e djathtë. Nga bankat e shkollës te veglat e përditshme, shumica e objekteve janë krijuar për rreth 90% të popullsisë që përdor kryesisht dorën e djathtë. Por pse ndodh kjo? Shkencëtarët ende nuk kanë një përgjigje përfundimtare.
Tani, një studim i ri nga “University of Oxford” sugjeron se arsyeja mund të lidhet drejtpërdrejt me evolucionin e trurit të njeriut dhe momentin kur paraardhësit tanë filluan të ecnin drejt mbi dy këmbë.
Sipas studiuesve, preferenca për njërën dorë ekziston që nga epoka neolitike. Analizat tregojnë se përdorimi dominant i dorës lidhet me zhvillimin e zonave specifike të trurit, të cilat evoluan në të njëjtën periudhë kur njerëzit nisën ecjen dykëmbëshe.
Ndryshe nga njerëzit, shumica e primatëve nuk tregojnë një dominim kaq të fortë të njërës dorë. Ata përdorin të dyja duart në mënyrë më fleksibël, ndërsa tek njerëzit preferenca për dorën dominante fillon që në mitër dhe vazhdon të formohet gjatë rritjes.
Shkencëtarët theksojnë se, përveç biologjisë, ndikim kanë edhe faktorët mjedisorë. Sa më shumë një person përdor një dorë që në fëmijëri, aq më shumë trupi përshtatet me të, duke krijuar ndryshime edhe në forcën dhe strukturën e kockave.
Studiuesi Thomas A. Püschel u shpreh se ky është studimi i parë që analizon njëkohësisht teoritë kryesore mbi dominimin e dorës tek njerëzit.
Sipas tij, rezultatet sugjerojnë se përdorimi i dorës së djathtë mund të jetë i lidhur me karakteristika thelbësore që na bëjnë njerëz, si zhvillimi i një truri më të madh dhe ecja drejt.
Studimi zbuloi gjithashtu se primatët me tru më të vogël dhe qëndrime më pak të drejta kanë tendencë të përdorin të dyja duart në mënyrë më të balancuar, ndryshe nga dominimi i fortë që shfaqet tek njerëzit.
Në të njëjtën kohë, neuroshkenca moderne ka zbuluar se përdorimi i dorës jo-dominante mund të ndihmojë në krijimin e lidhjeve të reja nervore në tru përmes neuroplasticitetit.
Praktikimi i vazhdueshëm me dorën “më të dobët” ndihmon në forcimin e zonave të trurit që kontrollojnë lëvizjen dhe koordinimin.