Në Bullgari, komisionerja e Bashkimit Europian për Inovacionin, Kërkimin, Kulturën, Arsimin dhe Rininë, Mariya Gabriel u caktua kryeministre për qendrën e djathtë. Lajmin e njoftoi kreu i partisë konservatore GERB, ish-kryeministri bullgar, Bojko Borissov.
Gabriel do të ketë mandatin eksplorues për të kërkuar një aleancë me partitë e tjera për të formuar një qeveri në vendin ku qeveritë nuk arrijnë të mbijetojnë. Po ashtu, ish-shefi i qeverisë së Sofjes tha se bisedimet do të përqendrohen në sigurimin e votave të nevojshme për të emëruar me sukses një kabinet të re të udhëhequr nga GERB-i.
Partia e qendrës së djathtë fitoi 69 vende në zgjedhjet e fundit parlamentare në Bullgari, por që janë shumë më pak se 121 të nevojshmet për të formuar një shumicë në Parlament. Kjo do të thotë se nëse Mariya Gabriel arrin sukses në ofertën e saj, ajo do të udhëheqë një qeveri koalicioni me parti të të njëjtës linjë qëndrimi.
Pas emërimit të Ursula von der Leyen-it në krye të Komisionit Europian në Bruksel, Gabrielit iu caktua një portofol i përforcuar për Inovacionin, Kërkimin, Kulturën, Arsimin dhe Rininë, i cili përfshin programin “Horizon Europe”, si dhe shkëmbimin e studentëve të programit “Erasmus”, sipas raportimeve të Euroneës Bulgaria.
Duke reaguar ndaj lajmit, presidenti i EPP-së, Manfred Weber vlerësoi zgjedhjen e bërë. Sipas tij, “Gabriel ka përvojën dhe autoritetin e duhur ndërkombëtar për të kapërcyer ngërçin politik në Sofje”.
Politika bullgare ka vuajtur nga paqëndrueshmëria gjatë viteve të fundit duke kaluar nëpër katër kryeministra të ndryshëm, përfshirë Borissovin dhe pesë zgjedhje parlamentare që nga viti 2021.