Vrasësi i senatorit Robert F. Kennedy në vitin 1968, Sirhan Sirhan u rekomandua nga Departamenti i Korrigjimit dhe Rehabilitimit në Kaliforni që të lirohej me kusht, pasi ai nuk përbën më rrezik për njerëzimin. Kjo është përpjekja e 16-të e Sirhan Sirhan për të fituar lirinë me kusht, i cili aktualisht është 77-vjeç dhe u arrestua kur ishte 24 vjeç.

Gjatë seancës ishin të pranishëm edhe dy nga djemtë e Robert F. Kennedy, Robert F. Kennedy, Jr. dhe Douglas Kennedy, të cilët mbështetëb lirimin më kusht të Sirhan, ndërsa fëmijët e tjerë të tij e kundërshtuan këtë gjë. Robert F. Kennedy Jr., i cili ka favorizuar lirimin e Sirhanit në të kaluarën, ishte në mbështetje të lirimit me kusht. Ai tha se ishte i emocionuar kur takoi për herë të parë Sirhanin “i cili qau, më shtrëngoi duart dhe më kërkoi falje”.

Paneli me dy persona rekomandoi lirimin me kusht, por tha se vendimi nuk është ende përfundimtar. Pas 53 vitesh burg, fati i të burgosurit 77-vjeçar tani është në duart e guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom, i cili do të përcaktojë nëse lirimi i tij është në përputhje me sigurinë publike.