Komisioni i Ekonomisë miratoi të martën edhe me votat e opozitës, përveç deputetit Agron Shehahj, projektligjin për rritjen e pagave të administratës dhe institucioneve të pavarura në nivelin nga 20-60%. Edhe pse drafti i qeverisë parashikonte që paga e Deputetëve dhe Ministrave të mos prekej, Komisioni propozoi që edhe ata të jenë përfitues, në zbatim të plotë të hierarkisë së pagave.
Sipas propozimit, paga e deputetëve duhet të dyfishohet nga 156 770 lekë që është aktualisht në 310 250 lekë, ndërsa e Ministrave nga 174 760 lekë në 318 750 lekë bruto. Kryeministrit dhe kryetarit të kuvendit paga u rritet në thuajse 400 000 lekë bruto nga 228 000 lekë që është sot.
Mjerë ai që e sheh parlamentin si një institucion ku janë mbledhur një grup njerëzish që e kanë mendjen të vjedhin. Ky mentalitet lidhet me atë moment kur në Kuvend kanë hyrë njerëz që s’kanë asnjë lidhje me interesin publik, por interesin e biznesit të tyre apo të tyre personalin”, tha Erion Braçe.
“Iu duket normale, që një drejtoreshë në ministri, këshilltarë e ministres, zonjat që ju kanë shoqëruar sot të kenë një rrogë më të lartë se e juaja apo deputetëve. apo e deputetëve që janë në këtë komision”, tha Agron Shehaj.
“Aparati shtetëror duhet të ruaj hierarkinë. Nga ana tjetër çdo punë e ndershme duhet të ketë dhe dinjitetin e vetë. DO të duhet të ruajmë hierarkinë nga presidenti, deri tek nënpunësi i fundit i administratës publike”, tha Arbi Agalliu.
“Nuk është qëllimi të mos rriten kurrë, por të përfundojë reforma dhe të sjellim një propozim për anëtarët e kabinetit”, tha ministrja Delina Ibrahimaj.
Ish zv/kryeministri Erion Braçe tha se duhet ridimensionuar administrata shtetërore.
“Nëse duam të kthehemi tek një administratë ku duhet të sundojë merita, që vendi i punës nuk është qokë nga partia, por që vendi punës mbahet vetëm me rezultatet. Të tepërtit të dalin jashtë. Të pa aftët të dalin jashtë. Të talentuarit, të marrin atë që u takon…”, tha ai.
Drafti do të kalojë në seancë plenare të enjten së bashku me propozimet e komisonit të ekonomisë. Të martën, u miratua dhe një tjetër pr/ligj, që lidhet me pagat e nënpunësve civilë, ku institucioneve shtetërore dhe këshillave bashkiakë u lind e drejta, pa pritur vendimin e qeverisë të propozojnë rritje të pagës, por jo më shumë se 1% e inflacionit të publikuar nga Banka e Shqipërisë.
Në Komisionin e Ekonomisë, deputetët miratuan rritjen e pagave për Qeverinë dhe deputetët. Më rritjen e re që parashikohet me koeficientin 0.75 për ministrat, paga që rezulton në 228 730 lekë do të shkojë në rreth 318 mijë lekë bruto.
Aktualisht paga e deputetit që deri më sot rezulton 156 770 do të rritet në 310 mijë lekë. Ndërkohë, paga e kryeministrit dhe kryetarit të kuvendit shkon rreth 395 mijë lekë.
Krahasuar me projektligjin që kishte propozuar qeveria për rritjen e pagave dhe me atë që është miratuar ditën e sotme në Komisionin e Ekonomisë, paga e tyre është rritur me rreth 100 mijë lekë më shumë për institucionet kryesore. Ky projekligj do të kalojë në Kuvend dhe nëse do të miratohet, do të rritet edhe paga e tyre.