Rajoni

Tensionet në veri të Kosovës, Borrell: I alarmuar, situata po bëhet e rrezikshme! Nuk do ta tolerojmë!

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell është shprehur shumë i shqetësuar për arrestimin e serbëve në Kosovë, pasi edhe ditën e sotme policia e Kosovës arrestoi një prej serbëve të përfshirë në sulmin ndaj KFOR më 29 maj. Në një reagim në twitter Borrell shkruan përshkallëzimi në veri po vijon dhe do bëhet edhe më i rrezikshëm. Ai thekson se një situatë të tillë nuk do ta tolerojnë.

“Shumë i alarmuar nga situata në veri të Kosovës: arrestime jashtëgjyqësore të serbëve të Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës që marshojnë në Mitrovicën e Jugut; e ndjekur nga retorika e rëndë nga Serbia. Pavarësisht takimit të djeshëm të menaxhimit të krizës, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë.” – ka shkruar ai.

Sot Policia e Kosovës arrestoi një serb në Mitrovicë të Veriut, nën dyshimet se ka marrë pjesë në sulmin ndaj KFOR-it.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Nenad Orlloviç, dyshohet se ka marrë pjesë në grupin që ka sulmuar ushtarët e KFOR-it më 29 maj. Nga përleshjet mes serbëve dhe KFOR-it, u lënduan dhjetëra persona nga të dyja palët.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga 26 maji, kur policia asistoi kryetarët e rinj shqiptarë të hynin në ndërtesat komunale, pavarësisht kundërshtimeve nga serbët lokalë.