Aksident rrugor me pesë të plagosur në aksin Maqellarë-Peshkopi, në afërsi të fshatit Trepçë. Nga përplasja e dy makinave tip “Benz” mbetën të plagosur disa persona, fatmirësisht jashtë rreziku Me marrjen e njoftimit, policia dhe autoambulancat shkuan në vendngjarje duke bërë të mundur dërgimin e të lënduarve drejt Spitalit Rajonal të Peshkopisë, ku morën ndihmën e parë.
Me dy drejtuesit e moshave 22 e 48 vjeç, udhëtonin edhe tre pasagjerë. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 09:30, në fshatin Trepçë, janë përplasur dy automjete të tipit “Benz”, me drejtues shtetasit D.D., 22 vjeç dhe J.B., 48 vjeç.
Si pasojë e përplasjes së automjeteve, kanë mbetur të lënduar dy drejtuesit dhe tre pasagjerë, shtetasit K.M., J.B. dhe G.B., të cilët po marrin ndihmë mjekësore në spital e ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
Herët në mëngjes u shënua një aksident në Elbasan-Librazhd. Në Mirakë, një automjet tip Golf 5 u përplas me një furgon mallrash. Nuk pati të lënduar.