Gratë lindin me të gjitha vezët që do të kenë gjatë jetës dhe që nga cikli i parë, rezervat fillojnë të bien, me një rënie më të shpejtë pas moshës 35 vjeçe dhe duke arritur nivele kritike rreth moshës 40 vjeçe. Në të njëjtën kohë, evropianet po bëhen prindër gjithnjë e më vonë. Mosha mesatare e nënës tani është 30.9 vjeçe dhe norma e fertilitetit ka rënë në një minimum historik prej 1.46 fëmijë për grua, mes kostos së lartë të jetesës dhe pasigurisë në tregun e punës. Si përgjigje ndaj këtij realiteti, gjithnjë e më shumë njerëz po i drejtohen trajtimeve të fertilitetit, si IVF-ja dhe ngrirja e vezëve apo embrioneve, për të ruajtur cilësinë e tyre për përdorim në të ardhmen.
Tregu global i ngrirjes së vezëve dhe ruajtjes së embrioneve vlerësohej në 5.41 miliardë dollarë në vitin 2024 dhe pritet të arrijë rreth 25.63 miliardë dollarë deri në vitin 2034, çka tregon për një rritje të shpejtë të kësaj industrie. Ngrirja sociale e vezëve ka shpesh rregulla të ndryshme nga ngrirja për arsye mjekësore, e cila u shërben grave me sëmundje që kërcënojnë fertilitetin, si kanceri apo endometrioza.
Sipas Saghar Kasiri, drejtoreshë e shërbimeve të fertilitetit në Cryos, banka më e madhe në botë e vezëve dhe spermës, ngrirja e vezëve duhet parë si një lloj sigurimi. Ajo shpjegon se shumë gra i ruajnë vezët me shpresën se do të mbeten shtatzëna natyrshëm në të ardhmen, por nëse kjo nuk ndodh, atëherë kanë një alternativë rezervë. Shumë paciente përfundojnë duke pasur fëmijë natyrshëm, ndryshojnë plane jete, përballen me sëmundje, ndryshime në marrëdhënie apo karrierë, ose thjesht ndryshojnë mendje
Së fundmi ka pasur një rritje shqetësuese të ngrirjes së ovociteve për t’u bërë nëna në moshë të mëvonshme. Ky trend quhet ‘social freezing’, për ta dalluar nga ngrirja për motive apo probleme shëndetësore. Është një trend rritjeje në Evropë, SHBA dhe Australi, ku mesatarisht procedurat janë rritur me rreth 25-30 % në vit që nga 2016. Pavarësisht përqindjes, që në 2020-2021 preku deri në 70%, në shifra flitet për rreth 5000 raste në 2016 në Evropë, 11 mijë në 2021, ndërsa në SHBA nga 16 mijë u kalua brenda 3 vitesh në 25 mijë.