Sport

Formula 1/ Antonelli triumfon në Belgjikë, 19-vjeçari italian thellon diferencën në krye të kampionatit!

Andrea Kimi Antonelli u rikthye te suksesi në Formula 1 këtë të dielë, duke fituar Çmimin e Madh të Belgjikës pas një paraqitjeje dominuese nga starti deri në vijën e finishit.

Piloti italian i Mercedes e nisi garën nga “pole position” dhe administroi në mënyrë perfekte avantazhin. Në xhirot e para ai pati presionin e Charles Leclerc, por e neutralizoi pa vështirësi sulmin e pilotit të Ferrarit, duke ruajtur kreun deri në fund.

Leclerc u detyrua të kënaqej me vendin e dytë, ndërsa Max Verstappen kompletoi podiumin me vendin e tretë. Lewis Hamilton e mbylli garën në pozicionin e katërt, por britaniku u penalizua me pesë sekonda pasi u shpall fajtor për incidentin në start që detyroi George Russell të braktiste garën.

Oscar Piastri u klasifikua i pesti, ndërsa një nga surprizat e garës ishte Isack Hadjar, i cili u ngjit deri në vendin e gjashtë pasi e kishte nisur nga pozicioni i 21-të. Lando Norris realizoi gjithashtu një rikuperim të shkëlqyer, duke e përfunduar garën në vendin e shtatë pasi startoi i 13-ti.

LEXO EDHE: F1/ Lëklerk ndryshon historinë dhe i përgjigjet kritikave: Nuk u bëra pilot i keq brenda natës!

Me këtë fitore, Antonelli forcon pozitat në krye të renditjes së përgjithshme të kampionatit. Piloti i Mercedes kryeson tashmë me 204 pikë, 45 më shumë se Lewis Hamilton dhe 50 më shumë se shoku i skuadrës, George Russell.

Formula 1 nuk do të ndalet gjatë, pasi pas vetëm një jave pilotët do të rikthehen në pistë për Çmimin e Madh të Hungarisë, sfida e radhës e sezonit.

LEXO EDHE: Formula 1/ Leclerc triumfon në Silverstone! Fund dramatik me makinë sigurie, Russell i dyti, Hamilton kompleton podiumin!