Aktualitet

Dyshohet se do t’i bënin atentat Preng Gjinit, policia ndalon dy persona!

Policia e Shkodrës ka ndaluar dy persona të dyshuar se do t’i bënin një atentat Preng Gjinit. Sipas burimeve ata janë ndaluar para disa ditësh. Gjatë kontrolleve të kryera në telefonin e njërit prej tyre u gjet fotoja e 56-vjeçarit.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se Preng Gjini jeton jashte vendit, por ditët e fundit kishte hyrë në Shqipëri dhe dyshohet se po mbahej në vëzhgim. Policia e Shkodrës ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Në 2020-ën 56-vjeçari i shpëtoi një atentati të mirëorganizuar mbi urën e Selitës.  Në atë kohë makinës së tij i vendosën tritol të një sasie 400 gram C4 në pjesën e përparme të makinës. Shpërthimi ndodhi ndërsa ai ishte duke udhëtuar.

Atentati para 6 vitesh mendohet se lidhet me sagën e hakmarrjeve mes dy fiseve Gjini dhe Reçi në Rrëshen, por Gjini e ka mohuar këtë fakt. Preng Gjini është vëllai i Armando ose Tonin Gjinit nga qyteti i Rrëshenit, i cili mbeti i vrarë në 12 gusht 2019. Armando Gjini, i kishte shpëtuar më parë dhe një atentati me tritol, pasi fatmirësisht arriti ta pikasë në kohë lëndën eksplozive.

Saga e vrasjeve mes familjave në Rrëshen

Në shtator 2020 i bëhet atentat Preng Gjinit, i cili tronditi Tiranën, pasi u krye në një zonë mjaft të populluar, ndërsa ishte vijim i kalvarit të hakmarrjes së nisur disa vite më parë për prishje të pazareve të drogës.

Në 5 vitet e fundit nga përplasja mes dy fiseve Gjini dhe Reçi janë ekzekutuar 5 persona në Belgjikë, Romë dhe Shqipëri. Sajmir Jaku, Gasper Reçi, Kreshnik Gjini, Tonin Gjini dhe Kastriot Reçi janë viktimat e hakmarrjes së egër mes dy fiseve.
Në datë 9 shtator të vitit 2016 u ekzekutua Sajmir Jaku në Rrëshen nga dy persona të armatosur. Sajmir Jaku ishte drejtori i OSHEE-së për zonën e veriut, ndërsa nga atentati mbeti i plagosur edhe një tjetër person. Jaku ishte së bashku me shokun e tij duke konsumuar një kafe në momentin që dy personat e armatosur hapën zjarr kundër tyre.

Një vit më pas në 28 prill në Itali u vra Gaspër Reçi 43 vjeç me 4 plumba. Ai u ekzekutua në Romë në banesën e tij, ndërsa autori nuk u zbulua. Në banesë në momentin e vrasjes ishte vetëm vajza e tij. Nga hetimet e autoriteteve italiane rezultoi se Reçi ishte me precedent në fushën e trafikut të drogës duke i çuar ngjarjet në pistën e hakmarrjes për prishjen e pazareve.
Nga Italia në Belgjikë. Viktima e radhës ishte Kreshnik Gjini 31 vjeç, që u ekzekutua 6 Shtator 2017 në komunën Forest. Dy persona të maskuar dhe të armatosur e qëlluan me dy plumba duke e lënë të vdekur në vend. Gjini punonte në një lokal dhe u vra përpara koleges së tij.

Në momentin kur shqiptari u fut në makinë, autorët e qëlluan direkt duke mos i lënë mundësi reagimi. Vrasja ishte e lidhur me atë në Rrëshen dhe Romë, por autorët nuk u zbuluan.

Viktima e radhës ishte Armando Gjini, i ekzekutuar në gusht 2019 në qendër të Rrëshenit. Ai njihej si pjesë e bandës së Met Kananit, i njohur nga mediat turke si “Eskobari shqiptar”.

Në janar të këtij viti viktima e fundit e përplasjes mes fiseve ishte Kastriot Reçi. Ai u ekzekutua në qendër të qytetit të Rrëshenit me snajper. 47-vjçari ishte pronar i një televizioni lokal në Mirditë. Sonte u realizua atentati i radhës ndaj Preng Gjinit, por fatmirësisht arriti që të shpëtonte me plagë të rënda te spitali i Traumës.