Çfarë është më “cool” se të jesh cool? Një listë kontrolli me gjashtë pika nga akademikë të specializuar në marketing dhe sjelljen e konsumatorëve ndoshta nuk është përgjigjja që prisnit. Por kjo nuk i ka ndaluar autorët e studimit “Cool People”, i publikuar së fundmi në Journal of Experimental Psychology, që të përpiqen të përkufizojnë të papërkufizueshmen – dhe të matin çfarë do të thotë të jesh “cool”.
Pasi intervistuan gati 6,000 persona në 12 vende – përfshirë edhe vende jashtë ndikimit perëndimor – ata dolën me gjashtë cilësi që shërbejnë si matës për të qenë “cool”. Dhe nëse nuk i ke, thjesht nuk e ke atë diçka. Për ata që po mbajnë shënime, fjalët kyçe janë: ekstrovert, hedonist, i fuqishëm, aventurier, i hapur dhe autonom. Dhe këto cilësi dilnin sërish e sërish në rezultatet e studimit. “Prisnim shumë më tepër ndryshime kulturore, por përputhshmëria ishte befasuese,” thotë Todd Pezzuti, bashkëautor i raportit.
Për mua, të jesh cool përfshin patjetër një lloj qetësie. Një mendje e patundshme.
“Këto gjetje përputhen me një studim australian të vitit 2018, që e përkufizonte të qenit ‘cool’ si një përzierje midis dy komponentëve: ‘cool me peshë sociale’ dhe ‘cool kundër rrymës’,” thotë Shakaila Forbes-Bell, psikologe mode dhe autore e Big Dress Energy. I pari përfshin cilësi që shoqëria i dëshiron, si hapja dhe ekstroversioni; ndërsa i dyti mbart tipare më rebele dhe të guximshme, si aventurizmi dhe hedonizmi. Forbes-Bell thotë se kjo “recetë” ka kuptim – por ndoshta mungon një përbërës sekret. “Në filma, seriale dhe libra, i njohim menjëherë ‘personazhet cool’ nga një grup tiparesh, kështu që jam dakord që ekziston një lloj formule,” thotë ajo. “Por aftësia për ta mishëruar këtë formulë nuk është e lehtë për t’u imituar. Duhet ta kesh atë diçka të veçantë – diçka të lindur.” “Bëhet fjalë për natyrshmëri,” thotë gazetarja dhe konsulentja e modës në Tokio, Ashley Ogawa Clarke.
Cool mund të jetë i kuruar me kujdes – dhe shpesh duhet të jetë – por njëkohësisht duhet të duket sikur ka ndodhur ‘si me magji’, pa shumë përpjekje.
Ka edhe një përkufizim tjetër të fjalës që mund të jetë edhe më i rëndësishëm. “Të jesh cool do të thotë edhe të jesh i qetë, i ftohtë, jo i nxehur, jo i stresuar,” thotë Dr. Antonia Ward, drejtuese e inteligjencës së tendencave në kompaninë Stylus. “Dhe sot, edhe në kuptimin më aspirues të saj, kjo fjalë e ruan këtë ide.” “Për mua, cool përfshin patjetër një lloj qetësie të brendshme,” pajtohet Derek Guy nga Die, Workwear!. “Një mentalitet i patundshëm. Francezët kanë një fjalë për këtë: sangfroid – një qetësi që nuk vjen nga injoranca, por nga filozofia.”
Të vishesh cool fillon me introspeksion – me njohjen e vetes.
Sipas studimit, fjala “cool” rrjedh nga zhargoni afro-amerikan i mesit të shekullit të 20-të. Saksofonisti Lester “Prez” Young besohet se e ka përdorur për herë të parë në këtë kuptim. Që atëherë, është lidhur ngushtësisht me skenën e jazz-it. Por edhe këtu ka përjashtime. “Miles Davis është ndoshta përkufizimi i cool,” thotë entuziasti i modës mashkullore, Henry Duffield (@henrythekidd_). “Dukej cool, tingëllonte cool, vishej cool, publikoi Birth Of The Cool. Ishte hedonist, aventurier, i hapur. Pa dyshim autonom. Por ishte i njohur si introvert – dhe pikërisht kjo e bënte edhe më cool.” Nick Paget, strateg i modës mashkullore te WGSN, thekson pikërisht këtë:
Sa më kreativ dhe i rëndësishëm të jetë dikush, aq më shumë priret të jetë introvert, i përkushtuar ndaj artit të tij dhe modest në sjellje.
Edhe pse mbetet e vështirë për t’u përkufizuar, “cool” ka kapërcyer brez pas brezi. “Cool ka forcë qëndrese sepse kap diçka që fjalët e tjera nuk e bëjnë,” thotë Pezzuti. “Përshkruan një profil psikologjik të veçantë – njerëz të guximshëm, të pavarur dhe magnetikë në mënyrë shoqërore. Është një mënyrë e shkurtër për të përshkruar një lloj personi që bie në sy në pothuajse çdo kulturë.” “Cool përmban tension të brendshëm – dhe idetë me tension janë ato që ngjiten më shumë,” thotë Ward. “Cool është një balancë perfekte mes të qenit në hap me momentin – apo edhe përpara kohës – dhe një moskokëçarje supreme për mendimin e të tjerëve. Ka diçka te cool që ekziston diku midis kalimtares dhe të përjetshmes, midis përpjekjes dhe mungesës së përpjekjes.”
Ankthi është e kundërta e stilit.
Kjo është diçka për t’u menduar edhe kur vishesh. “Burrat që shqetësohen shumë për saktësinë historike në veshje, përfundojnë duke ngjarë me cosplay,” thotë Guy. “Stili është të dish si të vishesh pa u shqetësuar shumë për aktin në vetvete.”
Autenticiteti është gjithashtu kyç.
“Njerëzit në përgjithësi janë shumë të mirë për të kapur ‘vibra’ te të tjerët,” thotë Duffield. “Ka qenë ndoshta përparësi evolutive të kuptonim nëse dikush ishte i sinqertë. Prandaj, të vishesh cool fillon me introspeksion – me njohjen e vetvetes.”
Nëse dukesh sikur përpiqesh të jesh cool, atëherë ndoshta nuk je.
“Ideja e të qenit cool sot ka të bëjë me të bërit atë që je vetë,” thotë Lauren Cochrane, gazetare e modës për The Guardian dhe autore e The Ten. “Kjo ka qenë gjithmonë e vërtetë, por me ritmet e shpejta të modës sot, të zgjedhësh vetëm atë që të pëlqen vërtet është kulmi i të qenit cool.” “Cool është të kesh vetëbesimin të vazhdosh të veshësh diçka edhe kur ajo nuk konsiderohet më cool,” thotë Guy. “Mund ta bësh këtë, për aq kohë sa e njeh gjuhën historike të veshjes.” Ai jep shembullin e xhinseve të ngushta: “Jemi në një moment ku modelet më të ngushta po i lënë vendin atyre me prerje më të lirshme. Por xhinset e zeza të ngushta, me çizme dhe xhaketë lëkure, do të duken gjithmonë mirë – jo sepse e thotë ndonjë influencer, por për shkak të historisë së legjendave të rock-ut si Lou Reed.” “Veshja cool shpesh do të thotë të veshësh diçka që publiku nuk e kupton plotësisht, por sërish e dëshiron,” thotë Ogawa Clarke. “Mund të jetë nga ndonjë markë apo vend i panjohur, por është diçka e rrallë ose e vështirë për t’u gjetur. Pra, cool duhet të përçojë mister, duke ngjallur njëkohësisht dëshirë.”
Ndoshta nuk janë rrobat – por personi që i vesh.
“Të gjithë e njohim ndjesinë e të parë diçkaje që duket cool, dhe pastaj kuptojmë se nuk është gjëja vetë, por personi që e ka veshur,” thotë Ward. “Një kostum nuk do të të kthejë në zotëri, një xhaketë lëkure nuk do të të bëjë cool,” thotë Guy.
Njerëzit i japin kuptim rrobave, jo anasjelltas.
Në fund, të jesh cool nuk është diçka që mund ta kontrollosh. Është një opinion që vjen nga jashtë. Dhe, siç thekson Cochrane, “është qartazi jo cool të studiosh këtë listë dhe të përpiqesh të përshtatesh me të.” “Nuk ke nevojë t’i plotësosh të gjitha,” thotë Duffield. “Dhe nuk mund ta shtirësh.” “Është e drejtë të thuhet se, nëse duket sikur do të jesh cool me çdo kusht, atëherë ndoshta nuk je,” thotë Paget. Por ka gjëra të tjera që mund t’i punojmë tek vetja. “Të jesh njeri i mirë, i respektueshëm, me parime, është pjesë thelbësore e këtij pazëlli,” thotë Ogawa Clarke. “Edhe pse të qenit i mirë dhe i cool janë gjëra të ndryshme, ato nuk përjashtojnë njëra-tjetrën. Vetëm në filma armiqtë janë cool. Në jetën reale, nuk ka asgjë më jo-cool se një person i keq.”Pra, përpiqu të jesh i mirë. Ndoshta nuk është më cool se “ice cold”. Por po shkon drejt ngrohtësisë.