Pyetje të ndryshme si “Çfarë është alzheimeri?”, “Sa zgjat gripi?” apo “Si trajtohen hemorroidet në kushte shtëpie?” janë ndër më të shpeshtat që përdoruesit po i drejtojnë inteligjencës artificiale.
Sipas një studimi të ri në Australi, një në dhjetë qytetarë tashmë përdorin ChatGPT për pyetje mjekësore, ndërsa 61% e tyre kërkojnë këshilla që normalisht duhen dhënë nga mjekë klinikë.
Ekspertët paralajmërojnë se, ndonëse këto mjete janë të shpejta dhe të aksesueshme, ato nuk garantojnë gjithmonë saktësi.
Gjithmonë ekziston rreziku që të japin një përgjigje të gabuar
-tha Julie Ayre nga Universiteti i Sidneit, autore e studimit.
Një analizë e vitit 2024, ku ChatGPT u testua me 150 raste mjekësore, tregoi se vetëm në 49% të rasteve ai dha diagnozën dhe planin e trajtimit të duhur.
Studiuesit përfunduan se:
Modeli nuk ofron domosdoshmërisht saktësi faktike, pavarësisht informacionit të bollshëm mbi të cilin është trajnuar
Edhe pse versionet më të reja, si ChatGPT-4, japin përgjigje më të sakta, ato ende mbeten të papërsosura.
Një shembull i studiuar në vitin 2023 tregoi se modeli 3.5 shpjegonte trajtimin e verdhëzës për arsye estetike dhe vetëvlerësimi, ndërsa versionet e reja fokusohen më shumë te parandalimi i dëmtimit të organeve dhe përparimi i sëmundjes.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se transparenca për informacionin mbi të cilin trajnohen këto modele mbetet e kufizuar, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi besueshmërinë e tyre si mjete për këshilla shëndetësore.