Health & Beauty Lifestyle

A përdoren më kompresat e ftohta?! Ja se si duhet t’i përgatisni…

Kur përdoret siç duhet, kompresa e ftohtë mund të ndihmojë kundër dhembjeve, etheve apo enjtjeve. Kompresat e ftohta vijnë në trajta dhe forma të ndryshme. Ato ndihmojnë kundër plagëve të vogla, etheve, dhimbjeve të kokës, alergjive. Sipas të dhënave, çdo lloj lëndimi i organizmit kërkon një kompresë të ndryshme. Për shembull një qese me akull nuk rekomandohet të vendoset në zonën e syve, ndërkohë që një napë e ftohtë nuk ofron lehtësim të dhimbjeve të shkaktuar nga një lëndim serioz.

Përfitimet që vijnë nga kompresa e ftohtë

Kompresa e ftohtë ndihmon në uljen e temperaturës në një pjesë të caktuar të trupit, dhimbjeve dhe enjtjeve. Aplikimi i akullit në një plagë të caktuar pengon qarkullimin e gjakut në atë zonë, duke:

  • Ngadalësuar ose ndaluar gjakderdhjen
  • Zbutur enjtjen dhe larguar inflamacionin;
  • Parandaluar ose kufizuar nxirjet dhe njollat në lëkurë;
  • Pakësuar dhimbjen.

Si të përgatisni kompresa të ftohta në shtëpi

Përveç produkteve të gatshme që gjenden në farmaci, njeriu mund të përgatisë vetë një kompresë të ftohtë në kushtet e shtëpisë. Akulli është shpesh përbërësi kryesor i një komprese të ftohtë.

 Kompresat e ftohta me bazë akulli

Mbushni një qese të pastër me akull, mbylleni mirë, mbështilleni me një napë të hollë dhe vendoseni mbi zonën e lënduar.

Kompresat e ngrira

Merrni një peshqir ose një napë të lagur dhe futeni në një qese plastike të cilët duhet ta mbani në ngrirje deri sa të jetë e ngurtë. Sugjerohet që, përpara aplikimit mbështilleni qesen me një napë tjetër të hollë e të thatë dhe vendoseni mbi plagë.

Kompresat për dhimbjet e kokës dhe ethet

Në mungesë të akullit, njerëzit që vuajnë nga dhimbjet e kokës apo ethet mund të lagin një peshqir ose napë me ujë të ftohtë. Më pas ato duhen futur në zonën e ngrirjes në frigorifer dhe të mbahen për disa minuta. Pas ngrirjes, mund ta aplikoni në zonën e kokës ku dhemb apo në ballë në rast se keni temperaturë. Kompresat kundër temperaturës mund të vendosen edhe në zonën e qafës ose kraharorit.

Rreziqet e kompresave

Për të kufizuar problemet që vijnë nga kompresat e ftohta, përpiquni të:

  • Mos aplikoni kurrë akull direkt mbi lëkurë;
  • Mos përdorni kurrë një kompresë të ftohtë mbi një plagë të madhe;
  • Mos aplikoni kurrë akull mbi lëkurë për një kohë shumë të gjatë.