Afganistani po rrëshqet drejt zisë së bukës, siç paralajmërojnë punonjësit e ndihmës që veprojnë përballë njërës prej krizave më të mëdha humanitare në botë. Miliona afganë tashmë jetojnë në kushte të ngjashme me urinë dhe ndalesa e përhershme e ndihmës amerikane vetëm se mund ta përkeqësojë situatën.
Kështu thonë dy punonjës humanitarë, të cilët folën për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, meqë nuk ishin të autorizuar të flisnin për mediat. Të dy punojnë për organizata të mëdha ndërkombëtare, të cilat ofrojnë ndihma ushqimore për komunitetet e cënueshme në Afganistan.
Ka tashmë uri të përhapur në disa cepa të Afganistanit, tha njëri prej tyre, i vendosur në juglindje të vendit.
Marrja e pushtetit nga talebanët në vitin 2021 e përkeqësoi krizën e madhe humanitare në Afganistan. Për pasojë, vendi i varfër humbi ndihmën jetike perëndimore dhe ekonomia e tij u shemb. Ndërkohë, uria u shmang falë fondeve të konsiderueshme nga donatorët perëndimorë. Megjithatë, kjo ndihmë u zvogëlua ndjeshëm në vitet e fundit.
Rreth një e treta e popullsisë 40-milionëshe të Afganistanit, aktualisht përballet me urinë. Frika për zi buke u rrit që nga vendimi i presidentit amerikan Donald Trump, në janar, për ta ngrirë përkohësisht gjithë ndihmën për vendet e huaja, përfshirë Afganistanin.
Ndërprerja e përhershme e ndihmës nga Amerika, donatorja më e madhe për Afganistanin do ta shtynte vendin drejt urisë në shkallë të plotë, paralajmërojnë punonjësit e ndihmës.
Pa ndihmë humanitare, mund të ketë uri në shumicën e vendeve. Provincat e thata perëndimore, qendrore dhe veriore të Afganistanit janë më të rrezikuarat.
Por, disa punonjës dhe organizata të tjera të ndihmës thonë se ende është herët të thuhet se Afganistani është në kushte të ngjashme me urinë ose po shkon drejt zisë për bukë.
Klasifikimi i Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC) e përcakton urinë si “situatë në të cilën të paktën një në pesë familje ka mungesë ekstreme të ushqimit dhe përballet me uri e varfëri, çfarë rezulton me nivele jashtëzakonisht kritike të kequshqyerjes akute dhe vdekje”.
IPC-ja vlerëson se mbi 3 milion afganë, ose më pak se 10% e popullsisë, vuajnë nga nivele emergjente të pasigurisë ushqimore dhe janë një hap larg urisë.