Bota

Amerika ndal shqyrtimin e kërkesave për emigrim nga Afganistani pas sulmit në Uashington!

Shtetet e Bashkuara do të ndalin menjëherë të gjitha kërkesat për emigrim që lidhen me Afganistanin. Kjo pasi një shtetas afgan, dje plagosi dy pjesëtarë të Gardës Kombëtare pranë Shtëpisë së Bardhë. Ata janë në gjendje kritike. I dyshuari, që është plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit para se të arrestohej nga një tjetër pjesëtar i Gardës, u identifikua nga autoritetet amerikane si Rahmanullah Lakanwal, 29-vjeç.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili gjendej në Florida në kohën e sulmit, publikoi një video-mesazh në Truth Social, duke e cilësuar sulmin si “akt të lig, akt të urrejtjes dhe akt të terrorit”. Sipas Trump-it, i dyshuari kishte shkuar në SHBA në shtator 2021, me një “nga ato fluturimet famëkeqe”, referuar evakuimit të afganëve kur talebanët morën kontrollin pas tërheqjes së SHBA-ve.

Po ashtu vuri në dukje se administrata e tij do të “rishkojë” të gjithë afganët që shkuan në SHBA gjatë presidencës së Joe Biden-it. Agjencia amerikane për Shtetësinë dhe Emigracionin, më vonë konfirmoi në X:

Menjëherë, përpunimi i të gjitha kërkesave të emigracionit që lidhen me shtetasit afganë ndërpritet, duke pritur rishikimin e mëtejshëm të protokolleve të sigurisë dhe verifikimit. Mbrojtja dhe siguria e atdheut tonë dhe e popullit amerikan mbetet fokus dhe misioni ynë kryesor.

Disa media amerikane raportuan se Lakanwal kishte shërbyer në ushtrinë afgane për një dekadë, duke mbështetur forcat speciale amerikane në atë kohë.

Sulmi që ndodhi pranë një stacioni metroje disa blloqe larg Shtëpisë së Bardhë, pritet gjithashtu të rikthejë vëmendjen te vendimi kontrovers i Trumpit për të dislokuar Gardën Kombëtare në disa qytete kryesore të SHBA-ve, pasi ka thënë se po tenton që të ulë nivelin e krimit në mbarë vendin.

Si përgjigje ndaj të shtënave, sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se në kryeqytetin amerikan do të dërgohen edhe 500 trupa të Gardës Kombëtare. Në Uashington, janë vendosur mbi 2.000 trupa.

Kryebashkiakja e Uashingtonit, Muriel Bowser, e cila ka pasur hapur mosmarrëveshje me administratën Trump për vendosjen e Gardës Kombëtare në kryeqytet, e përshkroi sulmin si “të tmerrshëm e të papranueshëm” dhe shtoi se “i dyshuari ndodhet në paraburgim për këtë sulm të qëllimshëm e do të ndiqet penalisht”.