Bota

Afganistan, rëndohet bilanci i viktimave të tërmetit/Mbi 800 të vdekur!

Vazhdon të rëndohet bilanci i viktimave të tërmetit që goditi Afganistanin lindor. Mbi 800 persona kanë humbur jetën dhe rreth 3 mijë mbetën të plagosur. Zëdhënësi i qeverisë talebane, Zabiullah Mujahid, tha se rajoni më i prekur është provinca Kunar. Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar mes rrënojave.

Sipas raportimeve të para, vetëm në një fshat janë gjetur 30 viktima, por shifrat e sakta nuk janë mbledhur ende, pasi bëhet fjalë për një zonë të thellë malore me fshatra të shpërndarë.

Numri i viktimave dhe i të plagosurve është i lartë, por për shkak se zona është e vështirë për t’u arritur, ekipet tona janë ende në terren, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë talebane të Shëndetësisë, Sharafat Zaman.

Sipas raportimeve, tre fshatra u shkatërruan plotësisht në provincën Kunar ndërsa shumë të tjerë pësuan dëme të konsiderueshme. Tërmeti me magnitudë 6 ra në mesnatë, në 8 kilometra thellësi, duke shkatërruar shtëpitë prej balte dhe guri në kufi me rajonin Khiber Paktunkva të Pakistanit.

Një tërmet tjetër, me magnitudë 4.5, goditi rajonin rreth 20 minuta më vonë, i ndjekur nga një tjetër lëkundje me magnitudë 5.2, sipas Qendrës gjermane të Kërkimeve për Gjeoshkenca (GFZ).

Qeveria afgane, e udhëhequr nga talebanët, bëri thirrje për ndihmë urgjente nga organizatat ndërkombëtare. Në një postim në X, shkroi se tërmeti ka shkaktuar “humbje jetësh dhe dëme materiale në disa provinca lindore”.

Në provincën Nangarhar, një banor i tha Radios Azadi të Radios Evropa e Lirë se “shtëpitë e njerëzve janë shkatërruar”.

Çdo gjë është rrafshuar me tokën. Eshtë urgjente t’u shpërndahen njerëzve paketa shëndetësore dhe t’u sigurohen ushqime.

Rajoni i goditur nga tërmeti vijonte të përballej me pasojat e përmbytjeve që u shënuan në fundjavë. Përmbytjet përfshinë provincat Nangarhar e Kunar, duke shkaktuar vdekjen e të paktën pesë personave. Ato shkaktuan rrëshqitje dheu, dëmtuan infrastrukturën e përkohësisht bllokuan qarkullimin mes Pakistanit e Afganistanit.

Afganistani, sidomos në vargmalin Hindu Kush, goditet shpesh nga tërmetet. Numri i viktimave është tejet i lartë për shkak të standardeve të dobëta të ndërtimit, vendeve të largëta dhe vështirësisë për t’u ofruar ndihmë viktimave.