Luftime të ashpra u zhvilluan në të paktën pesë zona përgjatë kufirit mes Afganistanit dhe Pakistanit, duke shkaktuar vdekjen e disa ushtarëve dhe detyruar Islamabadin të mbyllte dy pika të mëdha kufitare. Në Kabul, zëdhënësi i qeverisë së drejtuar nga talebanët, Zabihullah Mujahid, tha se të paktën 58 ushtarë pakistanezë u vranë dhe rreth 30 të tjerë u plagosën gjatë shkëmbimit të zjarrit.
Mujahid u shpreh se edhe nëntë ushtarë afganë u vranë e rreth 18 të tjerë u plagosën në përleshjet që shpërthyen mbrëmjen e 11 tetorit.
Autoritetet pakistaneze nuk e kanë bërë të ditur numrin e viktimave, por burime të sigurisë pranë rajonit kufitar konfirmuan për Radion Mashaal të Radios Evropa e Lirë se tre ushtarë pakistanezë dhe një civil janë vrarë, ndërsa pesë ushtarë u plagosën në shpërthimin e fundit të dhunës mes dy vendeve.
Sipas burimeve të sigurisë, disa civilë në anën pakistaneze të kufirit po largoheshin nga rajoni drejt zonave më të sigurta.
Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif dhe presidenti, Asif Ali Zardari dënuan dhunën, duke fajësuar Afganistanin për përshkallëzimin.
Nuk do të ketë kompromise kur bëhet fjalë për mbrojtjen e Pakistanit e çdo provokim do të marrë përgjigje të fortë dhe efektive.
Sharif akuzoi autoritetet talebane në Afganistan se po lejojnë “elementët terroristë” të përdorin territorin e tyre. Burime pakistaneze thanë se disa postblloqe kufitare të talebanëve brenda Afganistanit janë shkatërruar gjatë kundërpërgjigjes së Pakistanit.
Në një reagim të shpejtë e intensiv, forcat pakistaneze goditën me efektivitet disa postblloqe kufitare afgane, konfirmuan zyrtarë të sigurisë për gazetën Dawn.
Sipas burimeve të sigurisë të cituara nga Dawn, Pakistani po përdor artileri, tanke dhe armë të lehta e të rënda në operacionet e tij.
Udhëheqësit talebanë të Afganistanit konfirmuan se forcat e tyre kanë ndërmarrë “operacione hakmarrëse të suksesshme përgjatë vijës Durand, kundër qendrave të forcave të sigurisë pakistaneze, si përgjigje ndaj shkeljeve të përsëritura të hapësirës ajrore e territorit afgan”.
Kufiri 2.600 kilometra i gjatë midis Afganistanit dhe Pakistanit shpesh quhet vija Durand e epokës koloniale, e cila përcaktoi kufirin ndërkombëtar në vitin 1893.
Zabihullah Mujahid u tha gazetarëve se “operacionet hakmarrëse u ndaluan mbrëmë me kërkesë të Katarit e Arabisë Saudite”.
Por, shtoi se luftime të ashpra po vazhdojnë “në disa zona, përfshirë Bahramça në provincën Helmand, për shkak të sulmeve të vazhdueshme nga ana pakistaneze”.