Nëse dënojnë atë, do të përballen me të njëjtën gjë. Kush dënon nipin tim, nuk del i gjallë nga salla. Ka 13 vite që i shkojmë kryeministrit. Na e jepni pronën që e kemi ble. Dhe me mua ka të njëjtin shpërblim, provat i dhamë. Ja kemi ble shtetit, ose me na çu në burg.
Këto janë fjalët e Gjovalin Shkambit xhaxhait tjetër të Elvisit, i arrestuar nga blutë e Tiranës, bashkë me Gjon Shkambin, gjithashtu xhaxha i tij, me të cilin ishte dje në mjediset e Gjykatës së Apelit Tiranë, ku i pakënaqur me vendimin gjyqësor, qëlloi me pistoletë dhe vrau gjyqtarin Astrit Kalaja e plagosi baba e bir nga pala kundërshtare, në procesin e pronësisë për një godinë në Shkodër.
Korrespondenti i Top Channel, Klodian Zhivani: Si është historia juaj?
Gjovalin Shkambi: Ne këtë objekt e kemi privatizuar, konform të gjitha ligjeve. Objektin na e ka shitur shteti, ka 13 vite që e kemi privatizuar. Janë tallur me ne, na e kanë përdhunuar. Ne duke i shkruar Edi Ramës… I pari që e ka marrë pronën është axha i babës me vëllezër dhe im atë. E kemi marrë në 1994. Para komunizmit ka qenë prona e gjyshit të babës tem, e stërgjyshit. Në kohën e Zogut, Ahmet Zogu, Sulçebegun e ka shpallur në kërkim për ta ekzekutuar. Binak Pjetra, gjyshi i babës tem e ka shpëtuar, ja ka dhuruar dhe i ka paguar taksat bashkisë të asaj kohe. Letrat janë të dokumentuara në të gjitha gjykatat.
13 vite duke informuar kryeministrin që nuk është situata mirë. Duke ia ble pronën shtetit dhe duke ta marrë me zor. Se çfarë ka ndodhur dje nuk e dimë, po ta dija kisha ndërhyrë që të mos ndodhte ajo punë. Për të ndjerin Astrit Kalaja, i ulem në gjunjë atij e familjes së tij. Eshtë diçka aksidentale. Pavarësisht ai e ka dit historinë e pronës sonë, ka qenë gjykatës i Shkallës së Parë.
E ka ditur…dhe të njëjtin fat që e dënon nipin. Ta marrin vesh tan bota, nuk ulemi ne. Djalin e vëllait e ka çuar shteti, nuk e ka bërë ai, është me shkollë. Ta marri vesh gjithë bota mbarë, plumba kanë. Ia kemi blerë shtetit. Ka çuar dy vajza me shkollë pa bukë në burg. Ata do japin gjykim të përjetshëm por nuk do dalin të gjallë. Jam në pronë time, ia kam blerë shtetit.
Gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë zjarri nga Elvis Shkambi, duke shokuar mbarë opinionin publik. Pas krimit, autori shkoi te roja e sigurisë, i dorëzoi armën e zjarrit dhe i qetë, priti Policinë e Shtetit duke treguar se ai është autori i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.
Fatmirësisht, të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë që u arrestua edhe xhaxhai i autorit, Gjon Shkambi, se ishte në dijeni të veprimeve të nipit. Ngjarja e rëndë ka ngritur dyshime të mëdha për mënyrën si u arrit të futej një armë zjarri brenda një gjykate. Detektori sinjalizoi praninë e objektit metalik, por roja nuk u vu në lëvizje. Tashmë edhe ai është arrestuar.
Konflikti mes familjes Shkambi e 31 familjeve banore të një godine në Shkodër vijon prej mbi 30 viteve. Duke u mbështetur në një akt të kthimit dhe kompensimit të pronave të vitit 1993, familja Shkambi pretendon se është pronare e tokës dhe e godinës, që sipas saj, u tjetërsua gjatë regjimit komunist.