Plumba mbrëmjes gala të çiftit Trump me gazetarët e Shtëpisë së Bardhë. Një person i quajtur Cole Tomas Allen hapi zjarr në hollin e hotelit Hilton në Uashington ku po zhvillohej darka në prani të presidentit e zonjës së parë, zv.presidentit dhe 2 mijë e 600 përfaqësuesve të medias. Donald e Melania Trump, si edhe JD Vance u çuan në një vend të sigurt pasi u evakuan.
Forcat e sigurisë arrestuan agresorin, një 31 vjeçar nga Kalifornia me diplomë në Inxhinieri Mekanike e profesion mësues. Sipas mediave amerikane, ai deklaroi se synonte të qëllonte funksionarë të qeverisë. Një agjent policie mbeti i plagosur lehtë dhe pas trajtimit, la mjediset spitalore.
Rreth 1 orë pas sulmit, presidenti Trump doli në një konferencë shtypi, ende i veshur me kostumin e mbrëmjes gala. Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se agresori kishte shumë armë. Trump iu referua si “ujk i vetmuar që donte të vriste”, si dhe e quajti “person të sëmurë”.
Duke sjellë në vëmendje se këto janë sulme të përsëritura ndaj tij dhe republikanëve, Trump iu drejtua amerikanëve me thirrjen për t’i zgjidhur dallimet, paqësisht. Më tej, shtoi se ushtron një profesion të rrezikshëm e vuri në dukje se asnjë vend nuk është imun ndaj dhunës politike.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë falënderoi bashkëshorten Melania, siç theksoi për “kurajon dhe durimin e treguar në këtë rrethanë ekstreme” e premtoi se mbrëmja gala me gazetarët do të riorganizohet brenda një muaji. Ndërkaq, lëvdoi shërbimet e sigurisë dhe forcat e rendit se bënë një punë fantastike.
Ajo që FBI-ja dhe policia e Uashingtonit duhet të sqarojnë është se si një njeri i armatosur rëndë arriti të hynte në një aktivitet të një niveli kaq të lartë. Zv.drejtori i Shërbimit Sekret, Metju Kuin foli për “përpjekje frikacakësh për të krijuar një tragjedi kombëtare”.
Sipas të dhënave federale, agresori Allen ka dhuruar 25 dollarë për një komitet politik demokrat që mbështeste kandidaturën presidenciale të Kamala Harris-it, më 2024-ën. Në të njëjtin vit ishte shpallur mësuesi i muajit në dhjetor. Nesër do të dalë para gjykatës.
Hoteli Uashington Hilton, vendi i darkës gala, është i njëjti ku u krye atentati ndaj presidentit amerikan Ronald Reagan, më 30 mars 1981 nga John Hinckley Jr. Një ndërhyrje urgjente kirurgjikale i shpëtoi jetën Reagan-it. Hinckley tha se donte të tërhiqte vëmendjen e aktores Jodie Foster me të cilën ishte i fiksuar. Prej rreth 4 vitesh, ai jeton i lirë pasi përfundoi dënimin.